Albulena Haxhiu: Mosfunksionimi sistemit të drejtësisë ka penguar edhe mërgimtarët të investojnë në Kosovë

Kandidatja për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka thënë se mosfunksionimi sistemit të drejtësisë ka penguar edhe mërgimtarët të investojnë në Kosovë.

Haxhiu, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se Vetëvendosje ka një shtyllë shumë të fortë në këto zgjedhje.

“Padyshim shtylla jonë më e fortë është shteti i së drejtës apo sundimi i ligjit. Në këtë kuptim ne kemi parë gjatë këtyre viteve se si subjektet politike e sidomos pas shpalljes së Pavarësisë, kanë tentuar që sistemin e drejtësisë të kthejnë në shërbim të tyre”.

Ajo thotë se sistemi i drejtësisë gjatë këtyre viteve asnjëherë nuk ka vepruar ndaj atyre që janë pasuruar në kurriz të qytetarëve, përcjell Telegrafi.

“Nëse shohim raportet vendore dhe ndërkombëtare, ka shumë kritika ndaj sistemit të drejtësisë i cili ka qenë në vazhdimësi i paguximshëm të veproj ndaj këtyre dukurive negative”.

Kandidatja për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se pa sistem të drejtësisë nuk mund të ketë zhvillim ekonomik.