Albin Kurti ua çon propozimin me vonesë, Klinaku: Nuk pranojmë ndryshim Ligj, ata seancë ne protestë

Kryetari i OVL UÇK-së, Faton Klinaku ka thënë se nuk pranojnë ndryshim Ligji, ndërkohë paralajmëron se protestat nuk i ndalin në rast të ndonjë seance në Kuvend.

Ligji për Pagë Minimale që po pengohet të votohet në lexim të dytë nga veteranët përmes protestave ka nxitur pakënaqësi, debat e reagim të madh nga kjo kategori e në opinion në përgjithësi.

Pas dy protestave para institucioneve të larta, kryeministri Kurti e ministër Hekuran Murati i kishin ftuar përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta në një takim për të parë një rrugëzgjidhje të përbashkët.

Ndonëse Kurti u kishte premtuar një propozim qysh javën pasuese, diçka e tillë ndodhi tek sot. Pra fiks pas 1 muaji e gjysmë.

Kryetari i OVL-UÇK’së, Faton Klinaku për Periskopin ka thënë se do ta shqyrtojnë e t’i kthejnë përgjigje Qeverisë, pa dashur të japë detaje rreth përmbajtjes.

‘’Ju e dini që qëllimi ynë është që duhet të rritet paga minimale baraz me pensionin e veteranëve që është me Ligj dhe të mos ndryshohet sepse deri në një Ligj të ri vlen Ligji i vjetër.  Më gjanësisht nuk mund të them asgjë se kemi me shqyrtu edhe me ua kthy përgjigjen. Ka me u bisedu në organe. Duhet të zbatohet Ligji i vjetër, nuk duhet të ndryshohet. Bashkërisht duhet të ulemi e ta bëjmë një Ligj të ri, duhet me pasë parasysh se edhe aplikimi, vlerësimi e verifikimi i veteranëve të luftës është bërë me ligj edhe nëse u bë duku shkelje, për atë arsye është lënda në gjykatë. E përderisa është lënda aty nuk mund të bëhet kurrgjë më’’, ka thënë Klinaku për Periskopin.

Tutje ai mbetet me qëndrimin seancë baras me protesta.

‘’Hapat tona dihen, ata seancë, ne protestë.  Qëndrimi jonë vazhdon. Ligjin nuk duhet ndryshuar’’, shtoi ai.

Se një shkresë –propozim është dorëzuar te veteranët, fillimisht e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu duke shpalosur edhe disa detaje.

“Ne besojmë se me këtë propozim sigurohemi që të kemi një listë përfundimtare dhe të saktë të veteranëve, duke i bërë nder luftës dhe sakrificës së popullit tonë dhe duke mundësuar një trajtim të dinjitetshëm atyre që dhanë kontributin e tyre në çlirimin e vendit”, tha Kryeziu.

Tutje, ai shtoi se alternativë ndaj këtij propozimi mbetet zbatimi i ligjit në fuqi për kategorizimin e veteranëve.

“Ky ligj në momentin e miratimit, nga çfarë kemi kuptuar në takimin e qershorit, ka pasur edhe mbështetjen e OLV të UÇK-së. Të dy alternativat do të zhvilloheshin veçmas dhe pa e penguar apo ndikuar procesin gjyqësor në zhvillim e sipër”, u shpreh tutje ai.

Kujtojmë që kryeministri dhe zyrtarët e tjerë të lartë të Qeverisë aktuale vazhdimisht kanë deklaruar se duhet bërë pastrimi i listave të veteranëve dhe të mos u ipet pension veteranëve të rremë, e t’u ngritën të ardhurat atyre të vërtetëve.

Ministri i Financave, Hekuran Murati kishte theksuar se buxhetit të shtetit, veteranët i kushtojnë mbi 80 milionë euro në vit. Por, ku flasim për Muratin, duhet kujtuar edhe deklaratat e tij të mëhershme që bënë bujë javëve të fundit, duke ofenduar e poshtëruar ish-ushtarët e UÇK’së, për çka pati shumë reagime.