Albin Kurti thirrej në nenin 95 të Kushtetutës kur i duhej, për Avdullah Hotin e kundërshton VIDEO

Kur partitë e koalicionit PAN kishin vështirësi ta zgjidhnin kryeparlamentarin, Albin Kurti në fjalën e tij si kryetar i Vetëvendosjes, pati thënë se nëse këto parti dështonin ta votojnë Kryeparlamentarin, atëherë VV dhe LDK mund t’i shkruanin Presidentit që ‘ai t’ia propozojë Kuvendit kandidatin për kryeministër, sipas nenit 95 të Kushtetutës’.

Presidenti Thaci, tash e ka dekretuar të nominuarin për kryeministër nga LDK, z.Avdullah Hoti, duke u bazuar në këtë nen që dikur e ‘kërkonte Kurti’…

Partitë e PAN-it në seancën konstituive të 24 gushtit 2017, nuk kishin arritur ta zgjidhnin Kryeparlamentarin – gjë të cilën e kishin bërë pas disa seancash të Kuvendit – mirëpo kjo atëkohë, kishte acaruar kryetarin e VV-së, Albin Kurtin, i cili kërkonte që kryeparlamentari të zgjedhet dhe mandati për Kryeministrin t’u jepej partive të tjera, rrjedhimisht partisë së tij – Vetëvendosjes.

Ai, sic mund ta shihni edhe në videon më poshtë, i referohej nenit 95 të Kushtetutës, duke thënë se nëse Presidenti nuk e respektonte këtë nen, pra për kandidimin e një emri për kryeministër – jasht partive të PAN-it, rrjedhimisht ‘e shkelte Kushtetutën’.

“Menjëherë posa ta kemi zgjedhur kryetarin e Kuvendit duhet t’ia shkruajmë një letër presidentit, që ai t’ia propozojë Kuvendit kandidatin për kryeministër, sipas nenit 95 të Kushtetuës, pikës 1 përkatësisht 4 të këtij neni. Presidenti do ta bënte këtë sepse ndryshe ai do të rrezikonte ta shkelte Kushtetutën”, pati deklaruar Kurti.

Tani, në nenin 95 të Kushtetutës, pra në nenin e njëjtë që dikur e ‘kërkonte’ Kurti për kryeministër, është bazuar dekreti i Presidentit Thaci për kandidatin për kryeministër nga radhët e LDK-së, z.Avdullah Hoti.

Neni 95 i Kushtetutës së Kosovës parasheh se “nëse kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, qeveria bie dhe presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar qeverinë”.