Albin Kurti: Prej 27 të emëruarve në borde, 4 kanë qëlluar me librezë të Vetëvendosjes!

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur nga gazetarët për emërimin e disa prej anëtarëve të partisë së tij në bordet e ndërmarrjeve publike.

Ai tha se nga 27 persona të emëruar në borde të përkohëshme të ndërmarrjeve publike , 4 janë në anëtarësinë e Lëvizjes Vetëvendosje. Por sipas tij, asnjëri prej tyrë nuk e ka këtë gjë primare “janë profesionistë të dëshmuar”.

“Bordet e përkohëshme janë duke bërë rekomandime dhe po marrin vendime për korrupsionin që po gjejnë aty…Do  të fillojmë procesin për inkuadrimin e Ambasadës Britanike dhe shoqërisë civile në vendosjen e profesionistëve në pozitat e reja të menaxhmentit sepse edhe aty i kemi me ushtrues detyre”, tha Kurti ndër të tjera, transmeton Gazeta Sinjali.

Për të emëruarit në borde, Kurti tha se “nuk janë aktivista, nuk janë militantë, janë anëtarë të thjeshtë, vetëm që janë në borde të përkohëshme”.

Ai shtoi se nga  pesë ministrat e LVV-së, dy nga ta nuk janë anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje. Ministrja Rozeta Hajdari dhe ministri Blerim Reka.

Po ashtu Kurti tha se nga 12 këshilltarë që ka, 5 nga ta nuk janë anëtarë të LVV-së dhe nga 4 këshilltarë të jashtëm asnjëri nuk është i partisë.