kreu i VV

Albin Kurti porosi Shpend Ahmetit: Të mos i bëjmë gabimet e njëjta duke nxituar në dialog si në të kaluarën

Albin Kurti ka kërkuar të shqyrtohet dokumenti që tregon se çka ka ndodhur me dialogun gjashtëvjeçar Kosovë-Serbi. Ka thënë se nuk duhet të hyhet në dialogun e ri me nxitim dhe të përsëriten të njëjtat gabime sikurse në kohën e Edita Tahirit e Hashim Thaçit. Këto komente Kurti i ka bërë në kohën kur Shpend Ahmeti ka pranuar të shkojë në dialog me Serbinë duke bashkë kryesuar ekipin bashkë me Fatmir Limajn.

Sipas tij ky raport nuk lejohet të futet në agjendë parlamentare e të sjellët në seancë plenare për diskutim, shqyrtim e vlerësim.

“Sot, me 9 dhjetor, u bënë pesë muaj që deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë marrë raportin qeveritar për marrëveshjet e dialogut gjashtëvjeçar (2011-2017) Kosovë-Serbi. Por, ky raport nuk lejohet të futet në agjendë parlamentare e të sjellet në seancë plenare për diskutim, shqyrtim e vlerësim. Që prej 9 korrikut 2018, raporti 41 faqësh mbahet i bllokuar”, ka shkruar Kurti.

Sipas Kurtit, duket se regjimi në fuqi nuk do që Kuvendi ta trajtojë shkallën e ëërmbushjes së marreveshjeve dhe ndikimin e tyre në realitetin politik, shoqëror e institucional të qytetarëve të Kosovës.

“Nuk duan të dihet se ku jemi dhe nga erdhëm, nuk duan të nxjerrim mësime nga e kaluara, sepse duan të përsëriten gabimet e njëjta, me nxitimin e vjetër drejt dialogut të ri”, shkruan Kurti.