Albin Kurti: Kryeministri kishte dyfish më shumë parti në koalicionin qeverisës sesa deputetë të partisë së tij

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me anë të një shkrimi në Facebook ka uruar qytetarët për shpërndarjen e Kuvendit.

“Shkoi qeveria e borxhlinjve, po vjen qeveria e zhvillimit”, ka shkruar Kurti.

Ai ka thënë se kjo qeveri ishte krijuar me një shumicë minimale prej 61 deputetëve, dhe se kështu arriti të mbahej mezi në këmbë.

“Në njërën anë, kjo ishte qeveria më e madhe e pasluftës, me 5 zëvendës kryeministra, 21 ministra e 80 zëvendës ministra, kurse, në anën tjetër, kryeministri kishte dyfish më shumë parti në koalicionin qeverisës sesa deputetë të partisë së tij në Kuvend. Kjo nuk ishte as e drejtë dhe as e shëndetshme, prandaj nuk patëm as shtetndërtim demokratik dhe as zhvillim ekonomik. Dy vjet më vonë, shteti i Kosovës është edhe më i kapur edhe më i lodhur”, ka shkruar ai.

Lideri i Vetëvendosjes ka thënë edhe se Bruto Produkti Vendor për kokë banori nuk është as 300 euro, ndërsa i gjithë buxheti për drejtësinë në Kosovë është diçka mbi 50 milionë euro.

Ky është shkrimi i plotë i Albin Kurtit:

Shkoi qeveria e borxhlinjve, po vjen qeveria e zhvillimit

Pasi ra qeveria, u shpërnda edhe Kuvendi. Urime! Tash kthehemi te qytetarët, te burimi i sovranitetit, për zgjedhje të lira e demokratike, për legjitimitet të freskët për institucionet, për qeverisje të mirë për qytetarët. Kjo ish qeveri u pat sajuar mezi, plot tre muaj pas zgjedhjeve të 11 qershorit 2017, me shumicë minimale prej vetëm 61 deputetëve. Dhe, u mbajt në këmbë mezi, si qeveri e pakicës, larg edhe shumicës minimale të domosdoshme. Në njërën anë, kjo ishte qeveria më e madhe e pasluftës, me 5 zëvendës kryeministra, 21 ministra e 80 zëvendës ministra, kurse, në anën tjetër, kryeministri kishte dyfish më shumë parti në koalicionin qeverisës sesa deputetë të partisë së tij në Kuvend. Kjo nuk ishte as e drejtë dhe as e shëndetshme, prandaj nuk patëm as shtetndërtim demokratik dhe as zhvillim ekonomik. Dy vjet më vonë, shteti i Kosovës është edhe më i kapur edhe më i lodhur.

Republika e Kosovës nuk e përballon dot edhe një qeveri tjetër të madhe që rehaton militantët e kushërinjtë, që e ka deficitin tregtar më të madh sesa buxhetin e shtetit, që rrit me shpejtësi marramendëse borxhin publik dhe me sasi enorme deficitin buxhetor, që e diskrediton e delegjitimon shtetin si tatimmbledhës. Sepse, cili është kuptimi të thuash që rritja ekonomike është 3% apo 4% kur shumëfish aq rriten borxhi e deficiti? Cili është kuptimi që qytetari të paguajë tatime kur për çdo ditë ka skandale publike të korrupsionit qeveritar?

Qeveria nuk ka para të vetat. Buxheti i shtetit është borxhi që qeveria ia ka popullit. Mirëpo, kjo qeveri ishte borxhli i keq: i mori paratë por nuk e dha shërbimin për to.

Bruto Produkti Vendor për kokë banori në muaj në Kosovë nuk është as 300 euro. I gjithë buxheti për drejtësinë në Kosovë (prokurorinë, gjykatat, Akademinë e Drejtësisë dhe Shërbimin Korrektues) ishte diç mbi 50 milionë euro, pra më pak sesa që ia falën Bechtelit, e për çka prokuroria ka filluar hetimet.

Qeveria e ardhshme nuk duhet të merret me vendime të mëdha si puna e demarkacionit ‘Meha’ me Malin e Zi, që dha tokë për viza e të cilat s’i morëm, por, të merret me punë të mëdha, si psh.: luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë, sjellja e investimeve në ekonomi nga mërgata dhe investimeve të huaja, shpenzimet kapitale të jenë të përqendruara në punësim të rinisë e jo në asfaltim të arave, ndërmarrjet publike qendrore të ristrukturohen e të menaxhohen mirë që të mos operojnë me humbje si tani, të përmirësohet cilësia e arsimit dhe edukimit e të bëhet lidhja e tyre me ekonominë dhe tregun e punës, të rregullohen spitalet nëpër Kosovë si QMF-të në Prishtinë nga ish drejtori Arben Vitia etj. etj.

Sot e patëm mundësinë e mundësisë. E patëm mundësinë e neve deputetëve të Kuvendit që t’ia japim mundësinë qytetarëve të Republikës për të zgjedhur legjislaturë të re për qeveri të re. E bëmë. Urime të gjithëve! Qytetarët janë gati për ndryshimin e nevojshëm si kurrë më parë.

loading…