Albin Kurti kokëfortë në fillim, i zbutur më pas, i habitur në fund

Ku filloi e ku po përfundon…? Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë gjithmonë kanë qenë të tensionuara kur është bërë fjalë për veriun. Gjithmonë është dashur ndërhyrja e ndërkombëtarëve për ta marrë në dorë çështjen e për ta zbutur situatën. Megjithatë ky vit u shënua me tensione më të mëdha për dallim nga vitet e tjera. Gjithçka fillonte me Kurtin kokëfortë, për t’u zbutur më pas, e për t’u habitur në fund, shkruan Periskopi.

KURTI DHE TARGAT

Prishtinë, 29 qershor 2022 – Kjo është data kur Qeveria e Kosovës mbajti mbledhjen e 85-të të saj dhe mori një vendim që do t’i rikthente tensionet me shtetin serb. Të gjitha automjetet e pajisura me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori 1999 deri më datë 21 prill 2022, do t’u mundësohej regjistrimi i mjeteve me targa RKS. Ky vendim do të fillonte më 1 gusht dhe do të zgjaste deri më 30 shtator. ” Vendimi ka karakter të papërsëritshëm pas përfundimit të periudhës së vlefshmërisë. Vendimi obligon Ministrinë e Punëve të Brendshme që të ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme me qëllim të realizimit të këtij procesi”, thuhej në vendimin e Qeverisë.

Një ditë para se ky vendim të hynte në fuqi, serbët lokalë në veri të Kosovës bllokuan me kamionë rrugën magjistrale në afërsi të pikëkalimit kufitar të Jarinjës, që gjendet në Komunën e Leposaviqit.

Pas këtyre tensioneve, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, pak para mesnatës së 31 korrikut i shkoi në zyre kryeministrit Kurti, ku i kërkoi të shtyejë për një muaj zbatimin e vendimit për masat e reciprocitetit me Serbinë për dokumentet e identifikimit dhe përdorimin e targave të automjeteve të Serbisë.

Këtë kërkesë, Qeveria Kurti e pranoi me kushtin që të hiqeshin barrikadat nga rrugët në veriun e Kosovës.

“Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës”.

Sipas vendimit të mëhershëm të Qeverisë, nga 1 shtatori deri më 31 tetor, qytetarët në veri, që kanë targa të lëshuara nga Serbia, do të mund t’i konvertonin ë ato në RKS- Republika e Kosovës. Pas kësaj date, ekzekutivi kishte thënë paraprakisht se makina me targa të tilla nuk do të mund të qarkullonin në territorin e shtetit e as të kalonin kufirin.

Më 27 tetor, kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, dhe zyrtarët serbë, paralajmëruan barrikada në veri, nëse Kosova pas 31 tetorit do të konfiskonte targat dhe makinat e serbëve.

Në anën tjetër ministri Sveçla tha se nga 1 shtatori deri më tash, “nën presion” dhe “sulme”, vetëm një numër i vogël kanë riregjistruar makinat e tyre në RKS.

Vuçiq kishte deklaruar më 26 tetor se targat KM (Mitrovicë e Kosovës) do të mbeten edhe pas 31 tetorit.

Besohet se afër 10.000 targa me akronime serbe – sikurse KM, PZ, PR, e të ngjashme – qarkullojnë në veriun e Kosovës me shumicë serbe. Kosova i konsideron ilegale këto targa që lëshohen nga Serbia.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kërkuan edhe njëherë që Kosova të shtyjë afatin për targat. Kësaj radhe për dhjetë muaj. Por, thirrjes së tyre, kryeministri Kurti i tha “JO”.

Pavarësisht kësaj, Kurti më 28 tetor shpalosi një plan për çështjen e targave që lëshohen nga Serbia, që do të zbatohet në disa faza. Plani parasheh që nga 21 prilli i vitit të ardhshëm “të hiqen” të gjitha targat që nuk janë RKS- Republika e Kosovës.

“Për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë të mbajtur më 28 tetor.

Pas këtij vendimi të Qeverisë së Kosovës ka reaguar shefi i zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, që e ka cilësuar si “mashtrim”.

“Çdo lloj krize dhe tensioni në Kosovë dhe Metohi u shmangën vetëm falë sjelljes së matur dhe të përgjegjshme të popullit tonë atje dhe presidentit [të Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, prandaj nuk ka asnjë nënshtrim ndaj mashtrimit që Kurti dhe [zëvendëskryeminstrit të Kosovës, Besnik ]Bislimi po përpiqen të bëjnë, përmes këtij vendimi, duke pandehur se janë të gatshëm të bëjnë kompromis. Kjo sepse, gjithçka që bëjnë, e bëjnë në kuadër të qëllimit afatgjatë të dëbimit të popullit serb nga Kosova dhe Beogradi nuk do ta lejojë këtë”, tha ai.

Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti, tha se qytetarët në veri deri më 31 mars do të mund të përfitojnë lehtësirat tatimore pasi të riregjistrojnë makinat e tyre në RKS. I pyetur se nëse ky vendim nënkupton shtyrje të afatit për targa, ai tha se Kosova nuk e ka shtyrë zbatimin e vendimit, por “ne e kemi përshkallëzuar dhe sekuencuar atë”.

Kurti përsëriti se targat me akronimet serbe për qytetet e Kosovës janë ilegale.

Afati për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia paraprakisht skadoi më 31 tetor dhe Qeveria tha se me këtë vendim të ri ajo po tregon seriozitet për të zbatuar vendimin që ka marrë, por “në të njëjtën kohë që t’u japim shans atyre që janë të interesuar të integrohen”.

Pas shpalojses së këtyre fazave nga kryeministri Kurti, filloi drama e serbëve sërish. Kësaj radhe me kërcënime me largim nga të gjitha institucionet e Kosovës. Drejtori rajonal i Policisë së Veriut të Mitrovicës, Nenad Gjuriq përmes një konference për media kumtoi se më nuk do i zbatojnë urdhërat e Drejtorisë Qendrore për zbatimin e masave për targat. Menjëherë erdhi suspendimi i tij nga Policia e Kosovës. Mirëpo nuk mbaroi me kaq. Të nesërmen Lista Serbe paralajmëroi largim nga institucionet ku më pas veçse morën vendim për të vepruar ashtu.

Shefi i Qeverisë së Kosovës tha se për planin e ri për targat i ka informuar edhe përfaqësuesit e QUINT-it, me të cilët ka biseduar para mbledhjes së Qeverisë. Pavarësisht se tha që ata fillimisht i kërkuan që të shtynte afatin për riregjistrim, me të dëgjuar për vendimin e ri, thanë se do të tregojnë mendimin e tyre pasi të jenë konsultuar me kryeqendrat e tyre.

Natyrisht, pasi u bë publik ky vendim i Qeverisë, SHBA-ja u shpreh e “zhgënjyer” me mosshtyrjen e afatit për riregjistrim.

Një presion aq i madh nga ndërkombëtarët nuk mendohet të jetë bërë ndonjëherë. Ky presion u rrit edhe më shumë kur këshilltari i presidentit të SHBA-së, Derek Chollet, përmes një lidhje telefonike ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Fola me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, sot për të diskutuar rëndësinë e shmangies së tensioneve dhe shtyrjes së zbatimit të rregullave të reja të targave, pa konfiskime apo gjoba. Gjithashtu diskutuam për partneritetin tonë dhe synimet e përbashkëta për avancimin e integrimeve evropiane dhe euroatlantike të Kosovës”, ka thënë Chollet.

Edhe i pari i Diplomacisë Amerikane në Kosovë, Jeff Hovenier ka thënë se është e rëndësishme, të shmangen tensionet dhe të shtyhet zbatimi i marrëveshjes për targa. Po ashtu, Hovenier i ka dënuar sulmet ndaj personave të cilët i kanë ndërruar targat.

“E rëndësishme për të shmangur tensionet dhe për të shtyrë zbatimin e rregullave të reja të targave. Ne dënojmë gjithashtu veprimet për të frikësuar ose hakmarrë ndaj atyre që kanë ndërruar targat e tyre”, ka shkruar Hovenier.

Kjo kërkesë për shtyrjen e afatit ishte bërë edhe nga emsiari amerikan Gabriel Escobar, i cili ditë më parë ka deklaruar se ende nuk e ka marrë një përgjigje pozitive nga Qeverie e Kosovës, ndaj kërkesës së tij.

Po ashtu, kërkesës për shtyrjen e afatit i janë bashkuar shtetet e QUINT-it.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës dhe presidenca kanë deklaruar se nuk do ta shtyjnë atë vendim, duke thënë se ka mjaftuar shtyrja e herës së kaluar.

Më 31 tetor përfundoi afati i caktuar nga Qeveria e Kosovës për regjistrim të veturave që kanë targa ilegale duke u bërë thirrje qytetarëve serb të Kosovës, që ti heqin ato dhe ti marrin ato legale RKS.

1 nëntori shënoi ditën kur filloi qortimi nga Policia e Kosovës për pronarët e automjeteve me targa ilegale.

Kjo masë do të vazhdonte deri me 21 nëntor, ndërkaq nga kjo datë deri më 21 janar, të gjithë pronarët e makinave me targa serbe në Kosovë, do të gjobitshin me nga 150 euro.

Por 21 nëntori nuk qe fillimi i zbatimit të kësaj faze, pasi Policia e Kosovës njoftoi të dielën e kaluar, se shqiptimi i gjobave do të niste një ditë më vonë – më 22 nëntor, ditë e hënë, ditën kur u mbajt takimi urgjent trepalësh në Bruksel, që vendosi përballë kryeministrin kosovar Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Ky takim përfundoi pa marrëveshje.

Jo vetëm që përfundoi pa marrëveshje, por pala kosovare mori kritika nga Bashkimi Evropian si asnjëherë më parë.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, ftoi të hënën kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq për të diskutuar në lidhje me targat. Në të njëjtën tavolinë ishte edhe emisari i BE-së, Mirosllav Lajçak. Edhe pas 8 orësh takime nuk sjelli asnjë rezultat pozitiv për normalizim të marrëdhënieve.

Kështu bëri të ditur vetë Borrell i cili pas takimit deklaroi se ua ka bërë palëve një propozim për ta shmangur përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës, por sipas tij, këtë propozim e ka refuzuar Kurti.

“Mungesa e marrëveshjes sot nënkupton që ne duhet t’i bëjmë konkluzionet se si këto negociata po zhvillohen. Ne do t’i informojmë vendet anëtare, kolegët dhe partnerët tanë rreth sjelljeve të palëve dhe mungesën e respektit të palëve dhe më duhet ta them këtë posaçërisht për Kosovën. Unë e kuptoj se kjo përçon mesazh shume negativ politik”, tha Borrell.

Në anën tjetër kryeministri Kurti fajësoi Borrellin se hoqi dorë nga propozimi për normalizmin e marrëdhënieve Kosovë -Serbi.

“Me keqardhje mund të them që ndërmjetësit, në këtë rast Borrell hoqi dorë nga ky afati i marsit të vitit 2023 dhe nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Po them me keqardhje sepse vetë e kanë propozuar marsin e vitit 2023 dhe në anën tjetër propozimi është i Bashkimit Evropian. Kur u takuam në Paris në Forumin për Paqe, Borrell tha se propozimi nuk është Franko-Gjerman, por i BE-së dhe i mbështetur nga Franca dhe Gjermania. Sot ai hoqi dorë nga propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi…Unë jam i gatshëm që të vijë këtu të zhvillojë takime gjithmonë me strukturën dhe rendin e njëjtë…Shpresoj që BE t’i rrijë prapa propozimit të vetë për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh ai.

Tashmë presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, po e luante rolin e spektatorit në këtë “betejë” të Kurtit dhe Borrellit.

Sipas njohësve politikë, Kurti ishte fajtor për situatën e krijuar për shkak që ai “ia ofroi” këtë komoditet presidentit të Serbisë.

Në orët e vona të natës së fundit nga dhënia e gjobave, Ambasada amerikane në Prishtinë kërkoi nga Qeveria e Kosovës ta shtyjë për 48 orë vendimin.

Këtë kërkesë e pranoi kryeministri Kurti.

“E falendëroj Ambasadorin Hovenier për përkushtimin dhe angazhimin e tij. E pranoj kërkesën e tij për një shtyrje 48 orëshe për dhënien e gjobave për target ilegale KM (dhe të tjera). Jam I lumtur të punojë me SHBA-në dhe me BE-në për të gjetur një zgjidhje gjatë dy ditëve të ardhshme”, ka shkruar ai.

Sot, kryeministri Albin Kurti në një konferecë për media tha se targat nuk ishin arsyeja e shkuarjes në Bruksel.

“Kur ma dërguan ftesën nga Brukseli, arsyeja pse kam shkuar nuk janë targat. Kam shkuar të filloj diskutimin për marrëveshjen finale. Jam kryeministër. Nuk mund të shkojë kryeministri për targat. Kur i thash Borrellit më 11 nëntor në mëngjes në Paris ku ishim, propozimi franko-gjerman, tha jo nuk është franko-gjerman, është propozim evropian. I thash në rregull zoti Borrell, po në Bruksel e pashë që po të ishte propozim evropian nuk heq dorë aq kollaj. Tash ndodhemi ku ndodhemi sepse, pika e parë korniza e përgjithshme e marrëveshjes u braktis dhe u kalua te cështjet aktuale. Kjo nuk është ajo që jemi marrë vesh, në gusht jemi marrë vesh për takime të rregullta mujore, kam pritur nuk na ftuan. Një propozim serioz, do të duhej të merrej më seriozisht”, ka thënë ai.

Ai ndër të tjera para gazetarëve tha se evropianët kishin caktuar marin e 2023 si afat për marrëveshje finale, duke shtuar se ka kërkuar muajin shkurt, por më pas e lanë krejt.

“Po shkojnë orët, është e vërtetë, por deri në minutën e fundit nuk mund të flasim se çka do të ndodhë kur të skadojë afati. Afatin mars 2023, nuk e kam shkruar unë, e ka shkruar Brukseli. Unë kam kërkuar të jetë shkurti. Thash më mirë. Më shpejt më mirë. Ata e lanë krejt”.

Por, çka ndodhi më pas… Jo Kurti, por Bislimi ‘e mori situatën në dorë’, ku me ftesë të Borrellit e Lajçakut shkoi në Bruksel për të nënshkruar marrëveshjen të cilën supozohet se Kurti nuk e nënshkroi dy ditë më parë.

Pas kësaj marrëveshje mes dy vendeve, barrikadat u hoqën e Njësia Speciale e Kosovës u larguan.

KURTI DHE ZGJEDHJET NË VERI

Më 6 nëntor, 2022, Kryetarët e komunave veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, kanë dhënë dorëheqje para kuvendeve përkatëse. Pas këtij vendimi zgjedhjet në veri të Kosovës duhet të mbaheshin në mënyrë që komunat të kenë udhëheqësitë e tyre.

Megjithatë, subjektetet serbe nuk garuan në zgjedhjet në veri

Për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për kryetarë të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – nuk ekzistojnë as kushtet elementare në terren, vlerësuan përfaqësuesit e subjekteve politike nga radhët e komunitetit serb. Kjo është arsyeja, sipas tyre, që këto subjekte nuk do të merrnin pjesë në këto zgjedhje, mbajtja e së cilave ishte shpallur për datën 18 dhjetor nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Më 15 nëntor, 2022, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se autoritetet e Kosovës nuk do të lejojnë vakum në veri të Kosovës dhe se zgjedhjet në katër komuna duhet të mbahen.

Në një deklaratë për agjencinë austriake APA, Kurti tha se vendet e lira në veri të Kosovës, pas tërheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës, duhet të plotësohen shpejt dhe se nuk mund të presim kthimin e serbëve.

“Do të duhet të organizojmë zgjedhje të reja për pozitat e katër kryetarëve të komunave në veri të Kosovës”, tha ai dhe shtoi se sa i përket 10 deputetëve të Listës Serbe, pozitat e tyre duhet të plotësohen nga të tjerët.

“Nëse nuk bëjnë, do të duhet të vazhdojmë me partnerët tjerë”, tha Kurti.

Më 6 dhjetor, 2022, grupe kriminale serbe sulmuan zyret e KQZ-së në veri të vendit, me qëllim të pamundësimit të mbajtjes së këtyre zgjedhjeve. Dy ditë më vonë, me datë 8 dhjetor në fshatin Serbovc, mes Zveçanit dhe Leposaviqit, nga një sulm tjetër mbeti i lënduar zyrtari i Policisë së Kosovës, Ekrem Neziri.

Në pamundësi për ta vënë në kontroll situatën, krerët e shtetit “u dorëzuan” dhe morën vendim për shtyerje të zgjedhjeve.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi se është marrë vendim për shtyrje të zgjedhjeve. Ajo tha se zgjedhjet do të mbahen në muajin prill.

“Diskutuam rreth datës më të përshtatshme dhe kohës së përshtatshme dhe në fund me konsensus të plotë, pas propozimit tim erdhëm në konkluzion që të shtyhen për muajin prill të vitit 2023, kurse data e saktë e muajit prill, sonte ose më largu nesër në mëngjes do t’i tregohet publikut”, kishte deklaruar presidentja e Kosovës.

E para e shtetit ka treguar se vendimi për shtyrje ka ardhru edhe pas bisedave që ka pasur me zyrtarë të BE-së.

“Duke u bazuar në zhvillimet dua të ju njoftoj qe kam pasur kontakte edhe me institucione të BE-së dhe më kanë thënë që nuk do të marrin pjesë për vëzhgim për shkak të kohës së shkurtër. Bazuar në këto vlerësime propozimi ishte që të shtyhen zgjedhjet për kryetarë komunash. Erdhëm në përfundim të shtyhet për në prill”, ka thënë ajo para gazetarëve.

KURTI DHE PANTIQ

Ballafaqimi me strukturat kriminale nuk mbaroi këtu. Policia e Kosovës më 10 dhjetor, 2022, arrestoi ish-pjesëtarin e policisë, serbin Dejan Pantiq me akuzat për terrorizëm se ky i fundit organizoi sulmin në zyret e KQZ-së.

Me arrestimin e tij, një numër i madh i serbëve u mblodhën në hyrje dhe dalje të Leposaviqit, si dhe disa qindra të tjerë u mblodhën edhe në Rudar afër Zveçanit, si dhe në Srbovc për të vendosur barrikadat në terren për të mos lejuar që të arrestuarit të dërgohen në Prishtinë.

Tensionet sa po rriteshin dita-ditës, me sulme të grupeve kriminale serbe drejtuar policisë së Kosovës, madje edhe ndaj gazetarëve në raste të shumta.

Madje, presidentja e Kosovës, vlerëson se rreziku i ditëve të fundit ishte më i madhi që nga 2008-ta.

“Të pas-pavarësisë patjetër që po, ka qenë rrezik nga aspekti i sigurisë. Rreziku që sot Serbia e synon destabilizimin është i madh, prandaj veprimet tona duhet të jenë mirë të koordinuara edhe brenda Kosovës por edhe me aleatët tanë”, është shprehur Osmani në klankosova.

Në anën tjetër kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditë më parë në një intervistë për mediumin boshnjak istraga.ba, kishte deklaruar se nëse KFOR-i nuk i heq barrikadat brenda këtyre ditëve, veprimin do ta kryejë Policia e Kosoëvs.

“Nëse këtë nuk e bënë KFOR-i, do ta bëjmë ne. S’mund të zgjasin për muaj. As për javë, por vetëm disa ditë”, ka thënë Kurti.

Sot më 28 dhjetor, 2022, ndodhi ajo që nuk pritej. Dita e sotme filloi aty ku edhe nisi tensioni për herë të parë për këtë ngjarje. Dejan Pantiq është emri që sot u bë lajmi kryesor në vend. Pantiq në arrest shtëpiak. Atij i është zëvendësuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak.

Ndaj këtij vendimi tashmë kemi ‘Kurtin e habitur’. Nuk e di se si Dejan Pantiq me akuza për terrorizëm, u dërgua në arrest shtëpiak.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është shumë kureshtar të marrë vesh se si është marrë vendimi që ish-policit Dejan Pantiq t’i ndryshohet masa nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

Duket se e gjithë kësaj po i vjen fundi. Pasi u mor vendimi për Pantiqin, Rakiqi bëri të ditur se kishte biseduar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ku ky i fundit edhe “ia ka kërkuar që barrikadat të hiqen”.

Kur po shënohen orët e vona të natës, barrikadat ende janë duke qëndruar në veri të Kosovës, në pritje për t’u larguar pas 19 ditëve.

Pas gjithë kësaj, pyetja që duhet shtruar është: Pse Kurti “e bën të fortin” në fillim, për t’u dorëzuar më pas dhe për të kaluar në atë “të pafajshmin”?