Albin Kurti intervistohet nga prokuroria për kërcënimin nga Haxhi Hoti i Nismës

Sot në media u raportua që kryetari i VV-së, Albin Kurti është parë në objektin e Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë.

E arsye po del të ketë qenë intervistimi nga Prokuroria e Prishtinës lidhur me kërcënimin që i kishte bërë anëtari i Nismës, Haxhi Hoti, gati një muaj më parë, shkruan lajmi.net.

Këtë e ka bërë të ditur, zyrtari i VV-së, Berat Ganiqi, përmes një postimi në Facebook.

“Sot, së bashku me Kryetarin e Lëvizjes Albin Kurti ishim në Prokurorinë Themelore me ftesë të kësaj të fundit. Albin Kurti është ftuar për intervistim në lidhje me kërcënimin që i është bërë në rrjetet sociale nga Haxhi Hoti, anëtar i subjektit Nisma për Kosovën në fund të dhjetorit 2019”, ka shkruar ai.

Kujtojmë se ish-kandidati për deputet i Nismës, Haxhi Hoti, përmes një postimi në Facebook, Hoti kishte shkruajtur se Kurti ose duhet ta lëshojë Kosovën, ose të vritet.

Pas kësaj, ai ishte arrestuar nga Policia e Kosovës.