Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha sot se takimet me LDK-në për arritjen e marrëveshjes së koalicionit janë të përditshme, por kjo nuk është lajm deri të arrihet marrëveshja përfundimtare.
“Ne takohemi çdo ditë, sot jemi takuar, dje, pardje, por kjo nuk është lajm, lajm është kur të arrihet marrëveshja”, ka thënë ai i pyetur nga gazetarët gjatë pritjes së organizuar nga Ipeshkvia e Kosovës me rastin e Krishtlindjes, raporton Ballkani.info.
Sipas tij, në mes të rrugës së arritjes së marrëveshjes me LDK-në është një gurë, por nuk ka pranuar të thotë se ky gurë në rrugë a është pozita e presidentit apo Ministria e Punëve të Brendshme.
“Në rrugën tonë drejt marrëveshjes është në gurë, por nuk është shkëmb. Ne do të takohemi vazhdimisht deri në arritjen e marrëveshjes”, ka thënë Kurti, duke mos dashur të deklarohet se kur do të ndodh takimi me liderin e LDK-së, Isa Mustafa. Ky i fundit sot ka thënë se është në pritje të thirrjes nga Kurti për t’u takuar.
Të kujtojmë së të enjten, më 26 dhjetor, është caktuar mbajtja e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. /Ballkani.info/






