“Albi Mall” mbetet pa një pjesë të parkingut, sqarohet pronari i tokës

Të gjithë rastin e ka sqaruar vetë Valon Azizi për Gazetën Online “Reporteri.net” përmes një shkrese.

Kjo është shkresa e plotë:

Të nderuar,

1. Une, Valon Azizi, pronar i “Valoni Petrol” sh.p.k., përmes kësaj shkrese, dëshiroj të ju njoftoj dhe përmes juve edhe opinionin, lidhur me veprimet e kundërligjshme nga ana e Prokurores së Shtetit znj. Arbëresha Shala.

2. Çështja ka të bëjë me një raport juridiko-civil të lidhur në mes kompanisë që unë e përfaqësoj, në cilësi të qiradhënësit dhe “Albi Mall” Sh.p.k. në anën tjetër në cilësi të qiramarrësit. Objekt i kësaj kontrate të qiradhënies është sipërfaqja e paluajtshmërisë, pronar i së cilës është kompania ime, e cila shfrytëzohet si parking nga Albi Mall.

3. Duke qenë në një raport juridiko-civil i cili raport është krijuar me anë të kontratës për qiradhënie, unë, në cilësi të qiradhënësit, kam ushtruar të drejtat që më takojnë nga ky raport juridiko-civil, ashtu që kam njoftuar qiramarrësin Albi Mall se e kam shkëputur kontratën pasi që qiramarrësi nuk ka përmbushur detyrimet e tij në bazë të kontratës.

4. Pas njoftimit, unë kam vendosur pengesat brenda sipërfaqes time për të mos lejuar shfrytëzimin e kësaj paluajtshmërie pasi që e drejta për të shfrytëzuar këtë pjesë të paluajtshmërisë është ndërprerë nga ana ime.

5. Pas këtij veprimi, kanë ardhur Policia e Kosovës duke më urdhëruar që të largoj pengesat e vendosura në pronën time. Të njëjtit më kanë thënë se janë duke e zbatuar urdhërin e Prokurorit të Shtetit, mirëpo që një urdhër të tillë me shkrim nuk ma kanë prezantuar. Unë kam refuzuar që t’i bindem një urdhëri të tillë, pasi që nuk kishte urdhër me shkrim.

6. Pas refuzimit tim, më ka thirr me telefon Policia me kërkesën që të shkoj në intervistim pasi që dyshohem se kam kryer veprën penale Vetgjyqësi.

7. Vetgjyqësia e përcaktuar me Nenin 410 të Kodit Penal të Kosovë përcakton se: Kushdo që ushtron në mënyrë arbitrare të drejtën që mendon se i takon në vend se t’i drejtohet organit kompetent, dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë (6) muaj.
8. Prokurorja e din fare mirë që po ndërhyn në një raport juridiko-civil, e me këtë po tejakalon edhe kompetencat e saj. Unë, kam ushtruar të drejtat e mija në bazë të një kontrate komerciale dhe i vetmi organ që ka kompetencë të vlerësojë dhe gjykojë të drejtat dhe detyrimet e palëve në një raport juridiko-civil, është Gjykata civile. Unë nuk kam nevojë që t’i drejtohem organit kompetent pasi që tashmë i kam ushtruar të drejtat e mija në pronën time. Nëse pala tjetër, në këtë rast qiramarrësi, vlerëson se unë kam shkelur dispozitat kontraktuese, atëherë ata mund t’i drejtohen organit kompetent, në këtë rast gjykatës.

9. Prokurorja po shpik vepër penale nga një raport juridiko-civil dhe në këtë mënyrë po ndikon në të drejat e mija si pronar i paluajtshmërisë. Prona private është e garantuar me Kushtetutë dhe ligj dhe çdo ndërhyrje nga kushdo qoftë, me përjashtim të organeve gjyqësore, konsiderohet si keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe tejkalim i kompetencave.
10. Detyrat dhe kompetencat e prokurorëve të shtetit në bazë të Ligjit Nr. 03/L-225 PЁR PROKURORIN E SHTETIT, përfshijnë:
1.1. ushtrimin e funksioneve prokuroriale në mënyrë të pavarur, të drejtë, objektive dhe të paanshme dhe të sigurohen që të gjithë personat trajtohen në mënyrë të barabartë para ligjit;
1.2. zbatimin e standardeve më të larta të kujdesit gjatë kryerjes së funksioneve zyrtare;
1.3. sjellje të ndershme dhe profesionale si në jetën personale ashtu edhe profesionale dhe bazuar në ligjin e zbatueshëm dhe kodin e etikës profesionale;
1.4. ruajtjen e nderit dhe dinjitetit të Prokurorit të Shtetit;

11. Çdo mosmarrëveshje që rezulton nga një raport juridiko-civil, në mes palëve dhe çdo ushtrim i të drejtave nga Palët të cilët mendojnë se kanë të drejtë e për të cilën nuk pajtohet pala tjetër, shndrrohet në kontest civil sipas rregullave të përcaktuara me Ligjin për Procedurën Kontestimore e rrjedhimisht çdo kontest civil mund të gjykohet vetëm nga një gjykatë civile e në asnjë mënyrë nga Prokurori i shtetit.

12. Veprimet e tilla të Prokurores së Shtetit nuk janë në funksion dhe shërbim të ruajtjes së nderit dhe dinjitetit të Prokurorit të Shtetit dhe as me zbatimin e standardeve më të larta të kujdesit gjatë kryerjes së funksioneve zyrtare. Madje, duke qenë në dijeni se në mes palëve ekziston një raport juridiko-civil për mbrojtjen e të cilit raport ka kompetencë ekskluzive gjykata civile, Prokurorja po tregon hapur anshmërinë e saj duke favorizuar qiramarrësin për arsye të cilat tani për tani unë i konsideroj shumë të dyshuara dhe me prapavijë personale. Në momentin që ka pranuar një kërkesë të tillë, Prokurorja ka qenë e obliguar që ta njoftojë qiramarrrësin se për këtë raport juridiko-civil, ajo nuk ka të drejtë të ofrojë mbrojtje institucionale. Çdo veprim tjetër, nënkupton tejkalim të kompetencave të Prokurorit të Shtetit.

13. Unë, patjetër se do t’i drejtohem organeve kompetente, në rradhë të parë Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, mirëpo e konsideroj të rëndësishme që t’ju drejtohem edhe juve që merreni me përcjelljen e vazhdueshme të punës së organeve prokuroriale dhe gjyqësore, sepse një veprim i tillë meriton jo vetëm kritikë por për më tepër edhe ndëshkim.

14. Veprim i tillë nuk paraqet mendim dhe vlerësim të Prokurores, por haptas tejkalim të kompetencave të saj për të cilat ajo i din apo është e obliguar t’i dijë.

Jam i gatshëm që t’ju ofroj çdo dokumentacion shtesë me qëllim që kjo çështje të ketë vëmendjen e publikut e me këtë të kontribuohet në kthimin e besimit tek institucioni i Prokurorit të shtetit.