Albanologu suedez flet për Ballkani.info: Kosova e ka tepruar me durim, Serbia është e paturpshme

Në një intervistë për Ballkani.info albanologu suedez, Ullmar Qvick, ka treguar sesi është njohur me Shqipërinë dhe Kosovën, për shkrimin e parë që ka bërë për shqiptarët, për traditat dhe zakonet, si dhe për kultimivin e Gjuhës Shqipe në Suedi.

Qvick, tutje duke folur për jetën kulturore e sociale ka komentuar edhe zhvillimet e fundit të Kosovës, duke thënë që Kosova e ka tepruar me durim dhe se Serbia është e paturpshme.

Në vazhdim ju sjellim intervistën e plotë:

Ballkani.info: Kur ke dëgjuar për herë të parë për Shqipërinë dhe Kosovën?

Ullmar Qvick: Mora vesh për Shqipërinë për herë të pare, kur lexova një artikull për Skënderbeun dhe pullat e para postare shqiptare me pamjen e tij në vitin 1913. Kjo ndodhi në 1943, isha 9 vjec. Për Kosovën dëgjova rreth vitit 1950.

Ballkani.info: Cili ka qenë shkrimi juaj i parë për shqiptarët?

Ullmar Qvick: Bëra një hartim për Shqipërinë në gjimnaz, në vitin 1949, dhe po ai vit një prezantim të Radios shqiptare për një revistë të Radios. Në vitin 1971 botova tregimin e Migjenit “Luli i Vocërr” në buletinin e Shoqatës së miqësisë Suedi – Shqipëri.

Ballkani.info: Çfarë të ka tërhequr më së shumti tek shqiptarët?

Ullmar Qvick: Muzika qytetare dhe popullore, historia tragjike e vendit, një vend misterioz, virtytet e malsorëve. . .

Ballkani.info: Çka të ka penguar më së shumti tek shqiptarët?

Ullmar Qvick: Hakmarrja, politika izoluese, politika diktatoriale.

Ballkani.info: Përshkruaj vizitën e parë në Kosovë?

Ullmar Qvick: Viti 1977. Pjesëmarrja në Seminarin e gjuhës – letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës.

Ballkani.info: Na flisni rreth takimit që keni pasur me ish presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova?

Ullmar Qvick: Ky takim ndodhi në vitin 2004, ishim të ftuar si pjesëmarrës të seminarit. Isha afër Presidentit. Ai dinte mirë kush jam. Ngritëm dolli.

Ballkani.info: Ju njiheni si një kontributdhënës në hapjen e shumë shkollave shqipe në Suedi, na flisni rreth këtij veprimi fisnik?

Ullmar Qvick: Kam bashkëpunuar me mjaft arsimtar, kam marrë pjesë në konferenca të arsimtarëve shqiptar në Suedi dhe kam qenë vetë arsimtar të shqipes në qytetin Eskilstuna me insistimin e prindërve. Kam marrë pjesë në përpilimin e librave të mësimit për fëmijë shqiptar.

Ballkani.info: Sa po keni mundësi t’i përcjellni zhvillimet e Kosovës, politike, sociale, ekonomike?

Ullmar Qvick: Jo në mënyrë të rregullt. Koha nuk mjafton.

Ballkani.info: A mendoni që Kosova është në rrugë të drejtë sa i përket politikave evropiane?

Ullmar Qvick: Pengesat janë të shumta. Mirë së Kosova ka marrë qëndrim me të vendosur ndaj Serbisë. duhet të shohim më shume 10 mobilizim në popull kundër korrupcionit, ndërhyrjes islamiste nga jashtë dhe për iniciativa të mira ekonomike.

Ballkani.info: Si i shihni raportet Kosovë-Serbi?

Ullmar Qvick: Serbia politikisht është e paturpshme. Për fat të keq ka përkrahje nga disa qarqe në Evropë me teatrin e saj si “viktimë”. Durimi i Kosovës është disi i tepruar. Por pa përkrahje konstruktive nga Evropa dhe me një president amerikan si Donald Trump situata nuk është e lehtë./Ballkani.info/