Kandidatja për deputete nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi, e cila garon me numrin 6 në listën e AAK-së, ka deklaruar se vendi ka nevojë për një qeverisje më afër qytetarëve dhe më të përkushtuar ndaj nevojave të tyre të përditshme.

Përmes një postimi dhe një videoje bashkë me Daut Haradinajn, Bytyqi tha se sfidat me të cilat përballen familjet, të rinjtë dhe gratë në Kosovë kërkojnë angazhim të vazhdueshëm dhe jo dorëzim përballë vështirësive.

“Nuk dorëzohemi sepse e dimë sa shumë punë ka ende për familjet tona, për të rinjtë që kërkojnë mundësi, për gratë që mbajnë shtyllat e shtëpisë dhe për çdo qytetar që meriton më shumë dinjitet e përkrahje nga shteti i vet”, ka shkruar ajo.

Bytyqi theksoi se besimi për ndryshim nuk ndërtohet me retorikë politike, por me punë të përditshme dhe përkushtim konkret ndaj qytetarëve.

“Besimi për ndryshim nuk ndërtohet me fjalë të mëdha, por me përkushtim të përditshëm, me guxim për të vazhduar edhe kur rruga bëhet më e vështirë”, u shpreh kandidatja e AAK-së.

Ajo shtoi se Kosova ka nevojë për institucione që dëgjojnë qytetarët dhe që e kthejnë shpresën në veprime konkrete.

“Unë besoj se Kosova ka nevojë për një qeverisje që i dëgjon njerëzit, që punon afër qytetarëve dhe që e kthen shpresën në veprim”, deklaroi Bytyqi.