Kandidatja për deputete nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi, ka vlerësuar punën e prodhuesve vendorë të qershive në Greikoc të Suharekës, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së bujqësisë dhe produkteve vendore.

Përmes një postimi, Bytyqi ka deklaruar se çdo kokërr qershi që vjen nga duart e fermerëve bart me vete mundin, përkushtimin dhe dashurinë për tokën dhe traditën.

“Çdo kokërr qershi që vjen nga duart e tyre bart mund, dashuri për tokën dhe traditën tonë”, ka shkruar ajo.

Bytyqi ka theksuar se mbështetja e prodhimeve vendore nënkupton mbështetje për familjet, fshatrat dhe zhvillimin ekonomik të vendit, duke bërë thirrje për promovimin dhe konsumimin e produkteve të kultivuara nga fermerët kosovarë.

Sipas saj, Greikoci po shquhet për prodhimin e qershive cilësore, duke u kthyer në një simbol krenarie për rajonin e Suharekës dhe më gjerë.

“Ta mbështesim prodhimin vendor do të thotë të mbështesim familjet tona, fshatrat tona dhe të ardhmen e Suharekës dhe Kosovës”, ka theksuar kandidatja e AAK-së.

Deklarata e saj vjen në kuadër të angazhimeve për promovimin e bujqësisë dhe fuqizimin e prodhuesve vendorë, sektorë që konsiderohen me rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik të Kosovës.