‘Alarmi për koronën ishte fals, izolimi vrau më shumë njerëz’

Një dokument i hartuar nga Ministria e Brendshme gjermane shkaktoi një tërmet në median e këtij vendi. Në dokument thuhet se dëmet anësore të krizës së koronavirusit kanë qenë më të mëdha se vetë virusi.

Dokumenti është hartuar nga Stephan Kohn, ekspert në menaxhimin e krizave, i cili fillimisht u pezullua nga puna. Tani ai është shkarkuar nga detyra. Sipas gazetës BILD, laptop-i i tij është sekuestruar si provë materiale.

Por çfarë thuhet në dokumentin e fortë? Sipas Kohn, alarmi për krizën e koronavirusit ka qenë fals. “Shteti dështoi në mënyrë groteske,” shkruan ai. Duke folur për ‘alarmizëm’, ai thotë se masat mbrojtëse kanë vrarë dhe po vrasin shumë më tepër njerëz.

Ky numër mund të shkojë në dhjetëra mijëra. Një shifër e mundshme është 125 mijë veta.

Këtu përfshihen mijëra njerëz që humbën mundësinë të marrin trajtim mjekësor gjatë izolimit. Mijëra operacione janë shtyrë apo janë anuluar. Bëhet fjalë për raste me kancer, goditje në tru apo atak kardiak. Po ashtu ka pasur një numër të madh vetëvrasjesh pasi të sëmurët mendorë nuk kanë marrë trajtimin e duhur.

Disa ekspertë i kanë dalë në mbrojtje punonjësit të shkarkuar. Momentalisht në Europë flitet për epideminë e dytë, që i referohet rasteve kur njerëzit kanë humbur jetën për shkak të izolimit.

Edhe në Shqipëri ka pasur mjekë që janë ankuar se po vdesin njerëz për shkak se nuk po vijnë në spitale që të marrin trajtim në kohë. Mirëpo këtu kjo temë është lënë jashtë diskutimit kryesor.