Alarmi për fruthin, ISHP apelon për të vaksinuar fëmijët

Një ditë pas vdekjes së një foshnje 4 muajshe për shkak të sëmundjes së fruthit, Instituti i Shëndetit Publik i ka bërë thirrje shqiptarëve që të vijnë për të vaksinuar fëmijët.

ISHP ka bërë një panoramë të situatës. Deri më tani janë 30 raste të identifikuara me këtë sëmundje.

Instituti i Shëndetit Publik ju bën thirrje të gjithë prindërve të vaksinojnë fëmijët e tyre sipas kalendarit kombëtar të vaksinimit dhe udhëzimeve të ISHP-së për grupet që janë më të rrezikuara. Jo vetëm fëmijët, por edhe të rriturit që nuk janë vaksinuar ndaj fruthit apo nuk kanë marrë dy doza të vaksinës, duhet të vaksinohen. Vaksinimi ndaj fruthit është mbrojtja më e mirë për parandaluar fruthin dhe komplikacionet që vijnë prej tij. Për shkak se kjo periudhë e vitit sjell rritje të numrit të rasteve të infeksioneve respiratore dhe gripit, bëhet akoma më i rëndësishëm vaksinimi, për të parandaluar përhapjen e fruthit.

Masat e ndërrmara për mbrojtjen nga fruthi dhe ndaj epidemisë të shkaktuar prej tij janë masa të kontrollit spitalor dhe në qendra shëndetesore, si me poshtë:

– Izolimi në pavione të caktuara në spitale dhe vetëizolimi për rastet ambulatore.

– Masa standarte të kontrollit të infeksionit dhe ato të transmetimit nëpërmjet ajrit.

– Përdorim i mjeteve të mbrojtjes personale, si maskave, etj nga personeli dhe pacientët kur shkojnë në ekzaminime.

– Vaksinim i personelit shëndetësor.

– Monitorim i gjendjes mbrojtëse të personelit ndaj fruthit.

– Gjurmin dhe vaksinim brenda 72 orëve i kontakteve.

– Vaksinim i disa grupeve të rrezikuara.

– Vendosja e survejancës aktive në të gjithë vendin.

– Takime dhe trajnime për mjekët e familjes, institucioneve parashkollore dhe personelin infermier.

– Monitorim dhe zbatim rogoroz të legjislacionit në lidhje me vaksinimin në institucionet parashkollore dhe shkollore si dhe institucionet shëndetësore.

Gjatë vitit 2018 dhe deri më tani raportohen të jenë kryer mbi 113,237 vaksinime, nga të cilat, mbi 51.227 janë vaksinime sipas kalendarit kombëtar të vaksinimit për personat në moshën 1 dhe 5 vjeç.

Ndërkohë janë kryer edhe rreth 62,000 vaksinime të tjera që i përkasin fëmijëve të prapambetur në vaksinim, të rriturve të pavaksinuar ose me një dozë, komunitetit rom, si edhe të gjithë personave që kanë qenë në kontakt me persona të dyshuar apo të sëmurë me fruth.