Kongresmeni amerikan Keith Self ka ngritur shqetësime për ndikimin e mundshëm të paragjykimeve politike në vendimet e institucioneve të drejtësisë në Hagë, në prag të vendimit ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.

Në një postim në X, Self ka shkruar se një temë që, sipas tij, po përsëritet në rastet që dalin nga Haga është lejimi i paragjykimeve politike për të ndikuar në vendimmarrje.

“Shpresoj që një paragjykim i tillë të mos shfaqet këtë javë, kur të jepet vendimi në gjyqin e Hashim Thaçit dhe tre civilëve shqiptarë që luftuan për pavarësi pas viteve të shtypjes serbe”, ka shkruar kongresmeni amerikan.

Self e ka lidhur çështjen edhe me situatën e brishtë në Ballkan, duke e përshkruar rajonin si “një kuti baruti”.

“Ballkani është një kuti baruti, në një rajon ku regjimet shtypëse nuk do të donin asgjë më shumë sesa të ndezin flakët e përçarjes, në vend që të punojnë drejt pajtimit”, ka deklaruar ai.