Ylli kosovar

Alanyaspor dhe Karagumruk pas Baftiut

Dy skuadrat elitare të Turqisë, Alanyaspor dhe Karagumruk, janë të interesuara për ta transferuar sulmuesin e krahut të Ballkanit, Blend Baftiun.

Kështu ka thënë një i afërm i Baftiut të hënën për KOHËN në kushte anonimiteti. Për Baftiun është raportuar se ka pasur bisedime edhe me Fenerbahçen.

“Blendi është i interesuar të shkojë si përforcim e jo të kalojë nëpërmjet provave. Ai është lojtar i dëshmuar dhe besoj si dëshmi ka ndeshjet në Superligën e Kosovës. Dy skuadrat që janë të interesuara për të janë Alanyaspori dhe Karagumruku. Të shohim vendimin e tij përfundimtar”, ka thënë një i afërm i futbollistit.

Edhe kryetari i klubit, Arsim Kabashi, për KOHËN ka bërë të ditur se janë dy skuadra turke që janë të interesuara për Baftiun.

Ai nuk ka dashur t’i zbulojë emrat, por ka thënë se brenda kësaj jave do të vendoset përfundimisht për të ardhmen e tij.

“Ende janë të hapura mundësitë e Blendit për në Turqi. Janë dy skuadra që janë të interesuara dhe e ardhmja e tij do të dihet brenda javës. Ofertat janë të mira për ne si klub, por ende nuk ka pajtim nga Blendi. Vendimin përfundimtar do ta marrë Blendi dhe ne do të pajohemi me çdo vendim të tij. Një klub që ishte në opsion është tërhequr, pasi nuk kanë ofruar kushte të mira. Të dyja mundësitë janë, të mbesë në Kosovë te ne ose të largohet. Por, sigurt do të dihet brenda kësaj jave”, ka thënë Kabashi.

Edhe për Arbër Hoxhën, bashkëlojtarin e Baftiu, është raportuar se ka skuadra turke të interesuara, derisa nga klubi i Ballkanit javë më parë u transferua në Malatyaspor, Jetmir Topalli. Edhe vetë Baftiu më herët ka thënë se synon të luajë në ndonjë skuadër në Evropë. Por ai ka shtuar se do të transferohet në një skuadër ku do të ketë hapësirë për t’u paraqitur sa më shumë.

“Sigurisht se synimi im kryesor është që të luaj në ndonjë kampionat më të fortë. Nuk do të ngutem në vendimin përfundimtar. Do t’i shqyrtoj të gjitha ofertat”, ka thënë më herët Baftiu për KOHËN. Alanyaspori zë vendin e dytë pas dy ndeshjeve të zhvilluara në elitën e futbollit turk, derisa Karagumruku dy vende më poshtë me katër pikë.