“Sirianët kërkuan strehim në shumë vende, por Turqia u shqua si kombi që i përqafoi dhe i respektoi më shumë. Shpresojmë që Siria të mos e harrojë këtë mirësi”.

Kështu ka deklaruar lideri rebel Ahmed Al-Shara (al-Jolani), sa i takon valës masive të refugjatëve sirianë, për shkak të persekutimit të regjimit të Bashar al-Assad në vend.

Ndër të tjera, duke folur për fqinjësinë, ai tha se marrëdhëniet strategjike do të shfaqen.

“Turqia ka disa prioritete në rindërtimin e shtetit të ri sirian, duke përfshirë tregtinë e ndërsjellë dhe transferimin e ekspertizës së saj të zhvillimit ekonomik në Siri. Ne i besojmë Turqisë në këtë drejtim dhe synojmë të ruajmë lidhjet sociale”, përmendi.

Intelligence Online – me bazë në Francë – ka raportuar se sistemet turke Milkar 4A2 dhe ILGAR janë përdorur për të çaktivizuar rrjetet e komunikimit ushtarak të regjimit të Bashar al Assadit.

Kjo ka ndodhur gjatë kohës së operacioneve të Forcave të Revolucionit Sirian.

Sakaq vetëm një ditë më parë, presidenti i sapozgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ai besonte se Turqia dhe presidenti i saj Recep Tayyip Erdogan qëndronin pas ngjarjeve të fundit në Siri, të cilat rezultuan në rënien e regjimit të ish-presidentit Bashar al-Assad.

“Askush nuk e di se kush është pala tjetër”, tha Trump për zhvillimet e fundit në vendin e shkatërruar nga lufta.

“Por unë e di, Turqia. Erdogan është një tip shumë i zgjuar, e ka dëshiruar këtë për vite me radhë dhe ai e mori. Ata njerëz që u futën janë të kontrolluar nga Turqia dhe kjo është në rregull, është një mënyrë tjetër për të luftuar”.

Trump tha më tej se ai nuk do të dëshironte që asnjë trupë amerikane të vritej në Siri, por përfundoi duke thënë se “askush nuk e di” se cili do të ishte rezultati i konfliktit në Lindjen e Mesme.