Akuzat ndaj gjyqtarit kryesor dhe organeve të FFK-së, Batatinës i kërkohet deklaratë shtesë

Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës i ka kërkuar “deklaratë shtesë” trajnerit të Llapit, Tahir Batatinës për akuzat në drejtim të gjyqtarit kryesor dhe organeve të FFK-së gjatë prononcimit për media pas ndeshjes me Gjilanin (0:1).

Sipas njoftimit, Tahir Batatina në prononcimin për media pas përfundimit të ndeshjes Llapi – Gjilani , akuzoj gjyqtarin kryesor dhe organet e FFK-së për epilogun përfundimtar të ndeshjes, shkruan Demokracia.com.

“Kryetrajneri i FC ”Llapi” , Tahir Batatina nr ID 001144M77. Në prononcimin për media pas përfundimit të ndeshjes Llapi – Gjilani , akuzoj gjyqtarin kryesor dhe organet e FFK-së për epilogun përfundimtar të ndeshjes. Sipas xhirimit televiziv. Bazuar në nenin 32 paragrafi 1 të Rregullores disiplinore kërkohet deklaratë shtesë nga kryetrajneri I FC “Llapi“, Tahir Batatina . Afati datë 22.11.2022 ora 13:00”, thuhet në njoftimin e lëshuar në uebfaqen e FFK-së.

Llapi pësoi disfatë 0:1 nga Gjilani në takimin e javës së 17-të kampionale të zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

“Ata që e kanë deleguar Visar Kastratin le të përgjigjen. Nuk është në rregull të anulohen tri penallti për vendësin. Na vjen keq për Gjilanin, por nuk mund ta mbajmë ne në këtë formë. Tri penallti nuk janë akorduar për Llapin dhe gjithçka ka shkuar në dëmin tonë. Këtë fitore ta marrë Visar Kastrati e jo Gjilani. Humbja është pjesë e futbollit, por jo t’ua humbësh në këtë formë djersën lojtarëve. Nëse nuk kanë qenë penallti, do ta lë krejt futbollin. Sot Kastrati ka qenë me direktiva”, kishte thënë Batatina për Art Sport.

“E dinë shumë mirë që Visari nuk është dashur të delegohet për këtë ndeshje, ne do të vazhdojmë tutje, por me këtë arbitrim, nuk ecet tutje. Penalltia është penallti. Humbja është pjesë e lojës, por penalltitë të mos akordohen, nuk e di se çfarë duhet të ndryshoj ndonjë trajner. Ai ka ardhur me qëllime të caktuara. Urime Visarit për tre pikët. Nuk e di cili është problemi i tij me Llapin, pasi sikur të akordoheshin penalltitë do të ishte gjithçka në favorin tonë. Na ka dëmtuar rëndë Visari”, kishte shtuar ai.