Akuzat ndaj BE’së për “mbyllje të syve” ndaj Serbisë, Thaçi: Dëshmi shtesë pse nuk duhet ta ndërmjetësojë dialogun

Opinionisti Jusuf Thaçi ka thënë se, akuzat rënduar ndaj Komisionerit për Zgjerim i Bashkimit Europian, Olivér Várhelyi, për favorizim të Serbisë përkundër rënieve të standardeve demokratike, është një argument shtesë pse unioni europian nuk duhet ta ndërmjetësojë dialogun Kosovë-Serbi.

Thaçi, nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’, ka deklaruar se BE’ja mban qartazi anën e Serbisë.

“Dëshmi tjetër e ledhatimit të Serbisë nga ana e BE-së, përkatësisht mbyllje e syve të BE-së para shkeljes së të drejtave dhe të lirive të njeriut nga Serbia (pra BE-ja i mbyllë sytë kur është në pyetje Serbia edhe nëse ajo i shkelë vlerat themelore të BE-së)”, ka shkruar ai.

“Në të njëjtën kohë, dëshmi shtesë pse BE-ja si organizatë shumë-shtetëshe nuk është e besueshme për të qenë ndërmjetëse e dialogut Kosovë-Serbi (sepse qartazi mban anën e Serbisë)”, ka shtuar tutje opinionisti Thaçi.

Në një analizë të publikuar nga Politico.eu, Várhelyi akuzohet se ka mbyllur sytë para rënies dramatike të standardeve demokratike në Serbi, një vend që është klasifikuar nga Freedom House si “pjesërisht i lirë” nga statusi i mëparshëm “i lirë”.

Romeo Franz, një europarlamentar për të Gjelbrit nga Gjermania, i tha Politico.eu se qëndrimi i Várhelyit ka qenë i debatueshëm edhe në rastin e bllokimit të vendimit për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë nga vetoja Bullgare, kur ka propozuar ndarjen e procesit për të lejuar hapjen për Shqipërinë por jo për Maqedoninë e Veriut.