Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka reaguar për herë të parë zyrtarisht në lidhje me akuzat e opozitës shqiptare se qeveria nën drejtimin e Edi Ramës ka blerë masivisht votat e shqiptarëve.
Pas deklaratës së djeshme të Berlinit zyrtar për “djegien e mandateve” nga deputetët e opozitës shqiptare, Deutsche Welle e pyeti Ministrinë gjermane të Punëve të Jashtme edhe për protestat e opozitës.
Përgjigja e Ministrisë së Punëve të Jashtme është si më poshtë:
“Akuzat që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e zgjedhjeve të mëparshme duhet të trajtohen dhe të gjykohen nga organet e drejtësisë dhe parlamenti.
E drejta për të demonstruar është një element i rëndësishëm i kushtetutës demokratike. Megjithatë, dhuna, siç e pamë të shtunën e kaluar, është e papranueshme.
Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira që të ndihmojnë që protestat e mëtejshme të jenë paqësore.”







