Aktivizimi i Planit për Reagim Kombëtar në betejën me Covid 19. Çfarë nënkupton kjo?

Rritja e numrit të rasteve të të prekurve me Covid 19 dhe të atyre që po përfundojnë me vdekje, ka alarmuar institucionet qendrore. Qeveria e Kosovës ka nxjerrë një varg kufizimesh të reja, derisa, kryeministri Avdullah Hoti ka kërkuar aktivizimin e Planit për Reagim Kombëtar. Çka nënkupton kjo dhe pse nuk po shpallet gjendje e jashtëzakonshme?

Institucionet shëndetësore në Kosovë ditëve të fundit kanë dhënë alarmin për mungesë të shtretërve për pacientë të infektuar me Covid – 19 që kanë nevojë edhe për përkujdesje të mjekëve.

Derisa nga QKUK’ja janë publikuar disa fotografi ku pacientët po shihen duke marrë terapi në korridore të spitaleve, shifrat e të prekurve dhe atyre që kanë vdekur nga COVID 19 po vazhdojnë të jetë të larta.

Kosova po rrezikon të shkojë drejt kolapsit shëndetësor, e momentalisht radhitet ndër të parat shtete edhe në rajon edhe për nga numri i të infektuarve në baza ditore.

Kjo e ka shtyrë Qeverinë e Kosovës që të dalë me disa kufizime të reja për qytetarët. Megjithatë, nuk po diskutohet shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, që do të pasonte me një mbyllje totale.

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti sot në mbledhje të Qeverisë ka kërkuar që të përfshihet Plani i Reagimit Kombëtar në luftimin e pandemisë.

“Duke aktivizuar plotësisht planin e reagimit është me e lehtë që të kordinohet angazhimi ndërinstitucional. Kërkesa ime nga sot të aktivizohet plani i reagimit kombëtar” tha Hoti.

Sipas tij, ky plan parasheh angazhimin e të gjitha ministrive dhe institucioneve qendrore dhe lokale, si dhe angazhimin e sektorit privat, si testimi ose resurset e sektorit privat, spitalet, duke përfshirë edhe produktet farmaceutike, shërbimet komunikuese, produktet e tjera mbrojtëse si dhe funksionet vitale shtetërore, sikur Policia e Kosovës, furnizimin me ujë, energji.

“Unë kërkoj që të përfshihet plani i reagimit kombëtar i cili parasheh angazhimet e të gjitha institucioneve qendrore dhe lokale. Kërkohet përfshirja me furnizim me rrymë, ujë e deri tek institucionet financiare”, tha Hoti sot para ministrave.

Çka është Plani i Reagimit Kombëtar?

Qëllimi i Planit për Reagim Kombëtar, është që të vendoset qasje gjithëpërfshirëse kombëtare për menaxhmentin e incidenteve ndaj të gjitha rreziqeve në spektrin e plot të aktiviteteve të parandalimit, gatishmërisë, reagimit dhe rimëkëmbjes.

“Inkorporon përvojat dhe procedurat më të mira nga disiplinat e ndryshme të menaxhimit të incidenteve (siguria kombëtare, menaxhimi emergjent, zbatimi i ligjit, zjarrfikja, reagimi ndaj materieve të rrezikshme, punët publike, shëndeti publik, shërbimi emergjent mjekësor dhe punëtorët e reagimit dhe rimëkëmbjes në fushën e shëndetit dhe sigurisë) dhe i integron ato në strukturën e unifikuar bashkërenduese”, thuhet në plan.

Në Planin për Reagim kombëtar ofrohet një kornizë për ndërveprim qendror me pushtetin lokal dhe strukturat e degëve regjionale; sektorin privat dhe OJQ-të në kontekst të aktiviteteve të parandalimit, gatishmërisë, reagimit dhe rimëkëmbjes nga incidentet/emergjencat/fatkeqësitë. Plani përcakton kapacitetet dhe resurset dhe cakton përgjegjësitë, proceset operative dhe protokollet për të ndihmuar mbrojtjen e vendit nga rreziqet natyrore, teknologjike dhe të shkaktuara nga faktori njeri; shpëtimin e jetëve; mbrojtjen e shëndetit publik, sigurinë, të mirat materiale dhe mjedisin. Përfundimisht, PRK shërben si bazament për hartimin e planeve procedurave plotësuese të hollësishme për t’i zbatuar në mënyrë më efektive dhe më efikase aktivitetet e menaxhimit të incidenteve, në kontekst të llojeve të veçanta të incidenteve.

Qëllim i këtij plani është që të përmirësohet koordinimi dhe integrimi në mes të strukturave qendrore, regjionale, lokale të sektorit privat dhe atyre jo qeveritare.

Incidentet e Karakterit Kombëtar janë ngjarje me pasoja të rënda, që kërkojnë reagim të koordinuar dhe efektiv nga një kombinim i duhur i entiteteve 14 qendrore, regjionale, lokale, të sektorit privat dhe të atij jo qeveritar me qëllim të shpëtimit të jetëve, zvogëlimit të dëmeve dhe sigurimin e bazës për aktivitetet afatgjata të komunitetit të rimëkëmbjes dhe parandalimit.

Në Planin për Reagim Kombëtar saktësohen edhe rolet e përgjegjësit e pushtetit qendror, lokal dhe si dhe të degëve regjionale, duke u nisur nga kryetarët e komunave, Qeveria saktësisht Ministria e Punëve të Brendshme, Prokurori i Shtetit, Ministria e Forcës dhe Sigurisë, MPJ, Institucionet tjera Qendrore si dhe organizatat jo qeveritare dhe vullnetare.

Në PRK është e saktësuar edhe struktura kombëtare për menaxhimin e incidenteve, ku vendoset edhe rrjedha e qartë e komunikimit dhe koordinimit mes nivelit lokal dhe regjional deri te ai qendror.

Strukturat komanduese të nivelit lokal janë përgjegjëse për drejtimin e menaxhimit emergjent në vendngjarje dhe për mbarëvajtjen e komandimit dhe kontrollit të operacioneve të incidentit në vendngjarje.

Rol të veçantë ka edhe Këshilli i Sigurisë. Këshilli i Sigurisë së Kosovës është përgjegjës për koordinimin e politikave dhe strategjive ndër-institucionale lidhur me menaxhimin e incidenteve vendore dhe ndërkombëtare, përkatësisht, siç urdhërohet nga Presidenti i Republikës së Kosovës. Sekretariati i Këshillit të Sigurisë së Kosovës siguron që përpjekjet për menaxhimin e incidenteve vendore dhe ndërkombëtare bashkërendohen pa vështirësi.

Sipas ligjit, kryeministri i Republikës së Kosovës mund ta përshpejtoj implementimin e PRK-së, nëse e kërkojnë rrethanat e caktuara. Në këtë rast ai ka kërkuar që ky plan të aktivizohet që nga sot.

Kryeministri e ka rolin kryesor në këtë mes, derisa në plan saktësohet se  ai e udhëheq vendin në reagimin efektiv dhe siguron që resurset e domosdoshme angazhohen shpejt dhe me efikasitet të plotë tek të gjitha Incidentet e Karakterit Kombëtar.

Kryeministri gjithashtu, sipas nevojës, thërret takimet ndër-institucionale për t’i koordinuar çështjet e politikave dhe strategjive të veprimit.

Gjatë incidenteve aktuale apo të mundshme të Karakterit Kombëtar, koordinimi i të gjitha aktiviteteve qendrore të menaxhimit të incidentit bëhet nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ministritë dhe agjencitë tjera qeveritare, autoritetin dhe përgjegjësitë e tyre për menaxhimin e incidenteve dhe të reagimit emergjent e bartin brenda kësaj kornize koordinuese.

Komunat e gatshme të zbatojnë PRK’në

Komunat e Kosovës shprehen të gatshme që të bashkëpunojnë me institucionet qendrore për të implementuar cdo masë që shpëton jetën e qytetarëve.

Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka thënë sot për Gazetën Express se njejtë do të ndodhë edhe me aktivizimin e Planit për Reagim Kombëtar.

“Kryetarët e komunave çdo masë e cila e lufton parandalimin e përhapjes së koronavirusit do e respektojmë do e zbatojmë në terren përmes shtabeve emergjenteve komunale dhe mekanizmave tjerë. Deri më tani çdo obligim i cili iu është dhënë nga niveli qendror komunave ata e kanë përmbushur po edhe çdo kërkesë e komunave nga niveli qendror për koordinim është marrë parasysh. Si p.sh, çështja e gastronomisë, çerdheve, buxheti i komunave etj etj”, thotë ai.

“Deri tash çdo masë që ka ardhë prej niveli qendror e ka pas për qëllim ruajtjen e jetës, ende nuk e dimë çka përmban, kryetarët e komunave do të jenë gjithmonë për çdo masë. Komunat janë të gatshme me e pranu çdo masë që e shpëton jetën e qytetarëve”, ka deklaruar ai.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka kërkuar nga Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu që të thërras një takim me të gjithë bartësit e institucioneve, që të aktivizohen hapat e paraparë me Planin e Reagimit Kombëtar.