Aktivitetet pa ndaluar, Uran Ismaili paralajmëron takime e vizita nëpër Prishtinë gjatë 24 orëve

Kandidati për kryetar të komunës së Prishtinës nga PDK-ja, Uran Ismaili, tha para gazetarëve se po fillon një aktivitet 24 orësh, derisa e ka quajtur sfidë personale.

Ai shtoi se Prishtinës i duhet ndërrimi i qeverisjes komunale.

“Pas gjashtë ditësh qytetarët e Prishtinës do të votojnë. Por këto nuk janë zgjedhje të zakonshme. Ajo që i duhet këtij qyteti nuk është vetëm ndërrimi i qeverisjes komunale, por është është një ndryshim thelbësor në atë se si e shohim të ardhmen e Prishtinës, rolin e qytetarëve të saj dhe funksionimin e qytetit tonë. Për mua kjo nuk është vetëm një fushatë zgjedhore. Unë e kam nisur këtë udhëtim muaj më parë nga dashuria dhe pasioni për Prishtinën. Kam takuar dhe dëgjuar shumë qytetarë; kam bujtë në shtëpi e lagje të ndryshme; kam mësuar shumë në muajt e kaluar; filluam me një ekip të vogël por shumë entuziast i cili është kthyer në një mbështetje të madhe dhe energji për qytetin; kemi zhvilluar një program vizionar për një qytet të gjelbër, të pastër, të sigurt dhe digjital dhe kemi propozuar zgjidhje konkrete, jo të pakuptimta, por gjëra të arritshme për problemet e përditshme të lagjeve tona. Sot po qëndroj këtu para jush për të ju njoftuar për një iniciativë tjetër shumë unike”, tha Ismaili.

Ismaili ka sqaruar në detaje se do të vazhdojë një aktivitet 24-orësh, pa ndërprerje të takimeve vizitave dhe diskutimeve.

“Po filloj një aktivitet 24-orësh, pa ndërprerje të takimeve, vizitave dhe diskutimeve me njerëzit që e lëvizin këtë qytet. Kjo është një sfidë personale, edhe për mua. Por unë jam i shtyrë nga bindja ime e fortë: që puna e Kryetarit dhe kujdesi ndaj qytetit është 24 orë, 7 ditë në javë. Për mua nuk ka mënyrë tjetër për ta bërë transformimin e madh të qytetit”.

“Kjo është arsyeja pse unë kam dhënë dorëheqjen nga pozita ime si deputet i Kuvendit të Kosovës, kjo është arsyeja pse po ia jap 100 për qind të përvojës sime, energjisë dhe kohës sime kësaj fushate, qytetarëve dhe lagjeve të Prishtinës. Qytetarët nuk meritojnë asgjë më pak se një kryetar komune i cili është 100 për qind i përkushtuar për të rregulluar problemet e tyre. Për mua të qenit kryetar komune nuk është punë dytësore, e as Prishtina nuk është qyteti im i dytë”, ka thënë Ismaili.

Ai tha se gjatë 24 orëve do të takojë përfaqësues të institucioneve publike, shoqatave etj.

“Në 24 orët e ardhshme do të takoj përfaqësues të institucioneve publike, shoqatave, qytetarë të zakonshëm që punojnë ditë e natë për qytetin tonë. Dua të di nga afër shqetësimet e tyre aktuale, dhe zgjidhjet e tyre gjithashtu. Kjo është puna që duhet të bëjë një kryetar i mirë. Gjithmonë të jetë pranë qytetarëve. Para se të më pyesni, Po, do t’i kem këto takime gjatë gjithë ditës edhe gjatë gjithë natës, sepse qyteti ynë nuk fle as natën. Do të vizitoj emergjencën, stacionin policor, zjarrfikësit, kompaninë e pastrimit, por edhe punëtoret të cilët punojnë gjatë natës gjithashtu”.“Do të jetë një përvojë e jashtëzakonshme. Ndiqmëni në Facebook për 24 orë, aty do t’i ndaj me momentet më të mira me juve”.