Aktivisti i njohur Kenan Gashi ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike në vend, duke akuzuar Albin Kurtin dhe institucionet e tjera të larta për, siç thotë ai, “mashtrim politik” dhe zvarritje të paramenduar të funksionimit të institucioneve.
Në një postim të tij, Gashi ka deklaruar se pretendimet e kryeministrit se partitë opozitare kanë penguar punën e Kuvendit “po rezultojnë të jenë vetëm arsyetime për të mbuluar moszbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve që rregullojnë konsolidimin e institucioneve”.
Sipas tij, vonesat e krijuara pas zgjedhjeve kanë qenë të qëllimshme dhe kanë pasur një objektiv të vetëm: “t’i mundësojnë Vetëvendosjes përfundimin e procesit të zgjedhjeve lokale dhe shpalljen e zgjedhjeve nacionale në momentin më të favorshëm për interesat e saj politike”.
Gashi ka përfshirë në kritikat e tij edhe Presidente e Kosovës, për të cilën thotë se “ka mbështetur hapur axhendën politike të Kurtit”, duke thelluar, sipas tij, krizën institucionale në vend.
Ai paralajmëron se qytetarët dhe shteti po përballen me pasoja ekonomike, sociale dhe politike si rezultat i kësaj situate. “Për muaj të tërë, Kurti ka ndërtuar një narrativë që nuk qëndron, duke manipuluar opinionin publik dhe duke futur vendin në një cikël të pasigurt politik”, ka shkruar ai.







