Aktivisti i Vetëvendosjes i arrestuar për dallavere me subvencione është vëlla i deputetes së AAK-së

Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, javën e kaluar ka arrestuar 11 persona nën dyshimin për dallavere me subvencione.

Aksioni i Policisë së Kosovës është realizuar në lokacione të ndryshme: Pejë, Istog, Deçan, Viti, Suharekë dhe Ferizaj, shkruan Demokracia.com.

Sipas policisë, aksioni është ndërmarrë pas hetimeve disa mujore të realizuara në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, nën dyshimin për keqpërdorime në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë.

Demokracia.com ka mësuar se në mesin e të arrestuarve është edhe Ingrit Kuqi, vëllai i deputetes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Kuqi-Bytyqi.

Por për dallim nga e motra që është deputete e AAK-së, Ingriti është aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje në Suharekë.

Ingrit Kuqi, është shefi i shtabit të rinjve të Lëvizjes Vetëvendosje në Suharekë.

Kuqi në llogarinë e tij në Facebook ka postime dhe fotografi të shumta të aktiviteteve të Lëvizjes Vetëvendosje, derisa miqësi të mirë ka me deputetin e LVV-së, Sali Zyba, ku ky i fundit ishte kandidat për kryetar të Komunës së Suharekës në Zgjedhjet Lokale të vitit 2021.

Në postimet e tjera të tij shihet se e ka përkrahur edhe Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti gjatë zgjedhjeve.

Demokracia.com ka kontaktuar me deputeten e AAK-së, Albana Bytyqin, por në telefonin e saj është përgjigjur kolegia e saj.

“Jam kolegia e Albanës, më ka lënë telefonin se është në seance e tash seanca përfundoi, por mundem mi tregu që ke thirr”, ka thënë ajo.

Demokracia.com ka tentuar edhe dy herë të tjera të kontaktojë me deputeten Bytyqi, por ajo nuk ka qenë e qasshme.

Por ajo që bie në sy të paktën nga postimet publike ata nuk kanë ndonjë fotografi të përbashkët.

Ndryshe, sipas policisë, aksioni është ndërmarrë pas hetimeve disa mujore të realizuara në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, nën dyshimin për keqpërdorime në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë.

“Të arrestuarit, dyshohet së janë përfshirë në veprat penale: ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar’, ‘marrja e ryshfetit’, ‘dhënia e ryshfetit’, ‘mashtrimi me subvencione’ ‘falsifikimi i dokumenteve zyrtare’ dhe ‘pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare’. Tre nga të arrestuarit janë persona zyrtar, ndërsa tetë persona të dyshuar janë përfitues subvencionesh të cilët dyshohet se kanë përfituar subvencione përmes dhënies së ryshfetit dhe falsifikimit të dokumenteve”, ka njoftuar Policia.

Pas intervistimit të të dyshuarve, më aktvendim nga prokurori, të njëmbëdhjetë të dyshuarit janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë.

Demokracia.com në ditën e arrestimit ka raportuar ekskluzivisht se në mesin e të arrestuarve ka qenë edhe shefi i asamblistëve të Vetëvendosjes në Suharekë Liridon Fandaj. /Demokracia.com/