Aktakuzë për ish kryetarin e Suharekës

Prokuroria Themelore në Prizren , ka ngritur aktakuzë kundër ish kryetarit të komunës së Suharekës, Sali Asllanaj dhe ndaj Sh.B në cilësi të drejtorit të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Suharekë, dhe M.H., në cilësi të drejtorit të SHFMU “Bajram Curri” në fshatin Nishor, Komuna e Suharekës.

Sipas Prokurorisë këta të pandehur dyshohet se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohen se duke e shfrytëzuar pozitën zyrtare, i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër, lidhur me Marrëveshjen për Mirëkuptim dhe Bashkëfinancim ndërmjet Komunës së Suharekës dhe OJQ-së “Kosovo Hope” për projektin “Transporti i nxënësve”, duke shkelur Ligjin e Prokurimit Publik nr.04/L-042, Ligjin për menaxhimin e financave publike nr.03/L-048, si dhe Rregulloren financiare nr.01/2013, me ç’rast i shkaktojnë dëm buxhetit të Kosovës në shumën totale prej 10.556.00 euro.