Aktakuzë ndaj tre zyrtarëve të Komunës së Novobërdës

Prokuroria Themelore në Gjilan njofton se ka ngritur aktakuzë kundër tre zyrtarëve të Komunës së Novobërdës, S.V, A.A dhe N.D, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”.

Në njoftim thuhet se i pandehuri S.V, në cilësi të zyrtarit të Komunës së Novobërdës, ka keqpërdorur pozitën zyrtare duke mos u paraqitur në vendin e tij të punës dhe ka pranuar pagën mujore prej 427 euro, nga buxheti i komunës.

Tutje, thuhet se këtë e kishte bërë nga muaji prill 2019 deri në dhjetor të vitit 2020, “ashtu që në mënyrë të kundërligjshme ka përvetësuar për vete shumën prej 14.116.94€ dhe ka dëmtuar buxhetin komunal ne shumën e lartcekur”.

“Ndërsa, të pandehurit A.A dhe N.D, në cilësinë e drejtorëve për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Novobërdës, kanë keqpërdorur pozitën zyrtare, për t’i shkaktuar përfitim pasuror të kundërligjshëm zyrtarit komunal – të pandehurit SV, dhe përkundër që i njëjti nuk është lajmëruar ne punë, nuk e kanë larguar nga lista e pagave”, thuhet në komunikatën për media.

Dhe me këtë kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”.