Prokuroria Themelore në Pejë

Aktakuzë ndaj shtatë personave për kultivim të 177 bimëve narkotike dhe shitje të 100 kilogramëve marihuanë

Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar të premten se ka ngritur aktakuzë ndaj shtatë personave të pandehur (G.J., E.M., Z.M., E.J., F.D., A.J. dhe G.Z.).

Aktakuza është ngritur për veprat penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabis” dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

“Sipas aktakuzës se ngritur nga prokurori i shtetit, të pandehurit G.J., E.M., Z.M., E.J., dhe A.J, nga fundit i muajit maj të vitit 2022 e gjer me datë 29 shtator 2022, duke vepruar si anëtarë të grupit, me qellim të prodhimit të narkotikëve, kultivojnë rreth 100 kilogram (të gatshme për shitje) narkotikë të llojit marihuanë, kurse ishin duke kultivuar edhe 177 bimë tjera (me gjatësi 3.5 meta), të cilat janë shkatërruar me urdhër të prokurorit të shtetit nga njësitet relevante policore”, thuhet në komunikatën për media.

I pandehuri, G.J., akuzohet se me datë 28 shtator 2022, me qellim të shitjes ka poseduar rreth gjysme kilogrami kokainë, të ndara në katër qese.

Kurse, i pandehuri, Z.M., akuzohet se në kohë të vazhdueshme ka shitur dhe shpërndarë narkotikë të llojit marihuanë.

Të pandehurit F.D dhe G.Z, akuzohen për dhënien e ndihmës në kryerjen e veprave të lartcekura.

“Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit  kanë përmbushur elementet e veprave penale të përshkruar si me lartë. Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallën fajtore dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cila ju vihet në barrë”, thuhet në komunikatën për media.