Aktakuzë ndaj Shaban Gogajt, deçanasit që vrau punëtorin në kompaninë e tij “Gogaj AG”

Prokuroria Themelore e Pejës, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit, Sh.G., për veprën penale “Vrasje e Rëndë”, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Kurse aktakuzë ndaj të njëjtit person dhe I.C., ngritet për “mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”.

I pandehuri, Sh.G., me datë 23 shtator të vitit 2018, rreth orë 11:04 në Deçan në rrugën “Luan Haradinaj”, në kompaninë “Gogaj AG” me dashje privon nga jeta tani të ndjerin, A.T, dhe me ketë rast ka vënë në rrezik jetën, A.H., dhe F.Z., tani dëshmitarë.

Të pandehurit Sh.G. dhe I.C., gjithashtu akuzohen se në kompaninë e lartcekur, në kundërshtim me ligjin për armë kanë mbajtur në posedim armët e tipit “Beretta” dhe “Blow TR”, dy karikator të pistoletave të lartcekura dhe 12 (dymbëdhjetë) fishekë.

Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë përmbushur elementet e veprave penale të përshkruar si me lartë.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallën fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cila ju vihet në barrë.

Ballkani.info merr vesh se bëhet fjalë për Shaban Gogaj, i cili më 23 shtator 2018, në lokalet e kompanisë “Gogaj AG”, me dashje e ka privuar nga jeta Agonis Tetajn, dhe ka vënë në rrezik personave të tjerë.

Sipas prokurorisë, i dyshuari menjëherë pasi kishte marrë një telefonatë, kishte shkuar te sirtari në zyrë, e kishte marrë pistoletën, dhe pasi e kishte futur fishekun në tytë, e kishte qëlluar në kokë tani të ndjerin Agonis Tetaj.

Ai po ashtu dyshohet për armëmbajtje pa leje, pasi që gjatë kontrollit të policisë në sirtarin në fjalë janë gjetur 2 armë të cilat kanë rezultuar se janë pa leje. /Ballkani.info/