Aktakuzë ndaj një personi për shpëlarje të parave, dyshohet se kishte qëllim t’i vinte në qarkullim mbi 200 mijë euro

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj një personi për shpëlarje të parave.

I pandehurit me inicialet H.G., po akuzohet se në bashkëkryerje edhe me persona tani të paidentifikuar, në llogarinë bankare të kompanisë së tij me seli në Prishtinë, ka pranuar dhe ka poseduar shumën në vlerë 213,897 euro, me qëllim që ato të vihen në qarkullim si të siguruara në mënyrë të ligjshme.

Në njoftim thuhet se shumën prej 9,500 euro kishte arritur t’i tërheqë duke prezantuar fakte të rrejshme se kinse i ka realizuar në mënyrë të ligjshme, edhe pse e ka ditur se këto para janë fituar përmes aktivitetit kriminal.

“Të kryer përmes përdorimit të sistemit kompjuterik nga personi tani për tani i paidentifikuar” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Prokuroria ka arritur ta sekuestrojë shumën prej 213,897 euro përmes urdhrit të përkohshëm për ngrirje.

“PSRK i ka propozuar Gjykatës që ta konfiskojë si dobi e fituar nga vepra penale respektivisht që kanë rrjedhur nga ky aktivitet kriminal i të pandehurit, me urdhër që e njëjta shumë të transferohet tek pala e dëmtuar” – përfundon njoftimi i Prokurorisë Speciale.