LAJMI I FUNDIT

Aktakuzë ndaj 18 zyrtarëve e fermerëve për dallavere me subvencione, akuzohen se dëmtuan buxhetin mbi 100 mijë euro

Prokuroria Themelore e Pejës ka ngritur aktakuzë kundër 18 personave për korrupsion, lidhur me subvencionet e Ministrisë së Bujqësisë në Komunën e Istogut, raporton Express.

11 prej tyre janë persona zyrtarë dhe ndaj tyre është ngritur aktakuza për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Mashtrimi në detyrë”. Ndërkohë shtatë të tjerë janë fermerë ndaj të cilëve është ngritur aktakuza për vepra penale “Mashtrim me subvencione”.

Sipas aktakuzës, vlera e përfituar nga vepra penale marrje e ryshfetit është rreth 17 mijë euro, kurse dëmi i shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës është rreth 100 mijë euro.

Prokuroria në aktakuzë ka rekomanduar konfiskimin e një banesa dhe rreth 20 mijë euro para të gatshme, shqiptimin e dënimit plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik dhe urdhri për kompensimin e humbjes apo dëmit, të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës.

“Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit e lartcekur kanë përmbushur elementet e veprave penale të përshkruar si me lartë. Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallën fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cila ju vihet në barrë”, thuhet në njoftim.