Aktakuzë kundër tre turqve dhe dy shqiptarëve të Shqipërisë për sjelljen e heroinës nga Iraku në Kosovë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar sot se ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, kundër pesë të pandehurve me inicialet Xh.Sh., S.Sh., I.S., A.G. dhe L.Z për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283 paragrafi 1 të KPRK-së, lidhur me veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja e paautorizuar e narkotikeve dhe substancave psikotropike dhe analoge” nga neni 273 paragrafi 2 KPRK-së, lidhur me nenin 281 paragrafi 1 pika 1.9 të KPRK-së, “Legalizim i përmbajtjes së rreme” nga neni 403 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale” nga neni 388 paragrafi 2 nën paragrafi 2.8 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 398 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, si dhe “Mashtrimi”  nga neni 335  paragrafi 5  lidhur me paragrafin 1   të KPRK-së.

Sipas Prokurorisë Speciale të pandehurit Xh.Sh., S.Sh dhe I.S., shtetas turk, duke vepruar në bashkëpunim si një grup kriminal i strukturuar dhe i organizuar i shtrirë në territorin e disa shteteve – Iran, Shqipëri, Kosovë, i përberë prej shumë anëtarëve, mes tyre edhe  të pandehurit  të lartcekur dhe i ndjeri N.C., me dashje dhe me dijeni të qëllimit dhe veprimtarisë së përgjithshme të grupit kriminal të organizuar dhe qëllimit të grupit për të kryer një apo më shumë vepra penale, me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare, aktivisht kanë marrë pjesë në veprimtaritë kriminale të grupit duke ditur se pjesëmarrja e tillë do të kontribuojë në realizimin e veprimtarive kriminale të grupit.

Të pandehurit në mënyrë të kundërligjshme, pa  autorizim kanë blerë, dhe  poseduar, me qellim shitje dhe  kanë transportuar substanca narkotike te llojit heroin të cilat substanca me ligj  janë shpallur të rrezikshme, në atë mënyrë që gjatë periudhës kohore vitit 2018, kanë blerë Heroinë nga Iraku, e njëjta pastaj ka arritur me maune në pllaka të mermerit në Shqipëri dhe pastaj në Kosovë.

Me këto veprime të pandehurit kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283 paragrafi 1 të KPRK-së, lidhur me veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve dhe substancave psikotropike dhe analoge” nga neni 273 paragrafi 2 KPRK-së, lidhur me nenin 281 paragrafi 1 pika 1.9 të KPRK-së.

Ndërkaq, të pandehurit Xh.Sh dhe I.S. me të kuptuar  se më 19 tetor 2018, në Shqipëri janë publikuar emrat e tyre si persona të dyshuar se fshihen pas rastit të laboratorit të drogës në Has të Shqipërisë, me qëllim që ti shmangen arrestimit, kanë paraqitur fakte të rreme në qendrat e regjistrimit në Prishtinë dhe në Obiliq, dhe atë ekstraktet e lindjes.

Me këto veprime secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme” nga neni 403 par 2 lidhur me paragrafi 1 të KPRK-së.

I pandehuri, A.G. në periudhën kohore tetor – nëntor 2018, me dashje  ju ka ndihmuar në shmangien, zbulimin dhe mos arrestimin e tyre, të pandehurve shtetasve turq, Xh.Sh., I.S. dhe të ndjerit N.C. nga organet e ndjekjes së Shqipërisë dhe Kosovës, dhe bërjen e tyre të pa kapshëm për organet e drejtësisë dhe me qëllim të përfitimit pasuror, në mënyrë të kundërligjshme  ju ka ndihmuar në nxjerrjen  e dokumenteve zyrtare (letërnjoftimin dhe pasaportën e RKS-së).

Me këto veprime  i pandehuri ka kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale” nga neni 388 paragrafi 2 nën paragrafi 2.8 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Po ashtu, i pandehuri A.G. më 24.12.2018, me dashje ka përpiluar dokument të falsifikuar, dhe atë një autorizim, me qëllim shfrytëzimi të këtij dokumenti si origjinal.

Me çka ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 398 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Ndërkaq, i pandehuri L.Z. më 02.12.2018, në Prishtinë, me dashje, me paraqitjen e fakteve të rreme e ka mashtruar Drejtorin e një auto salloni, me qëllim të përfitimit pasuror  në mënyrë  të kundërligjshme  për vete. Me këto veprime i pandehuri L.Z.  ka kryer veprën penale “Mashtrimi”  nga neni 335  paragrafi 5  lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së. /Ballkani.info/