Aktakuzë kundër Islam Thaçit dhe 5 personave të tjerë të Komunës së Prizrenit për dëmtim të “Abi Çarshisë”

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër I.Th., J.V., E.Th., A.T., I.B., dhe Sh.K., në cilësinë e personave zyrtarë, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 2-1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, me datë 19.07.2019  dhe 21.07.2019 në Prizren në objektin ”Abi Çarshia”, të akuzuarit I.Th (Islam Thaçi), në cilësinë e drejtorit të Inspektorateve, J.V., dhe E.Th., inspektore të ndërtimtarisë, A.T., dhe I.B., zyrtarë në Drejtorinë e Inspektorateve si dhe Sh.K., përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, në cilësinë e personave zyrtarë, duke shfrytëzuar detyrat apo autoritetin zyrtar i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit për “Abi” ShPK – Prizren, në atë mënyrë që realizojnë rrënimin e aneks objektit “Abi Çarshia” duke ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim.

Islami Thaçi

Të akuzuarit, veprojnë në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, në kundërshtim me Udhëzimin administrativ nr.06/19 të datës 12.07.2019, Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative si dhe në kundërshtim me vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, me të cilat janë anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektorateve Komunale të Ndërtimtarisë në Prizren, duke obliguar organet Komunale të Prizrenit të veprojnë konform ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje si dhe udhëzimeve administrative në fuqi. Andaj, të akuzuarit duke mos i përfillur vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi me ç’rast gjatë rrënimit, “Abi” ShPK në Prizren i shkaktojnë dëm në shumën prej 69.729.66 euro.

Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të akuzuarit I.Th., J.V., E.Th., A.T., I.B., dhe Sh.K., kanë përmbushur elementet e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, për veprën penale e cila u vihet në barrë. /Ballkani.info/