Aksioni për sekuestrimin e vilave në Brezovicë, prokurori Maloku jep detaje

Prokuroria Themelore e Ferizajt në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimeve të Krimeve të Rënda në Prishtinë, ka vazhduar edhe sot me aksionin për sekuestrimin e objekteve të ndërtuara në Brezovicë në Zonën e II-të të Parkut Kombëtar “Sharri”.

Për të ndjekur nga afër mbarëvajtjen e aksionit i pranishëm ishte edhe prokurori Rasim Maloku.

Ai para mediave bëri të ditur se sot pritet të sekuestrohen rreth 30 vikend-shtëpiza.

“Sot po vazhdojmë me aksionin për sekuestrimin e objekteve që gjenden në zonën e dytë të parkut Sharri pasi që dje për shkak të motit nuk kemi mundur ti sekuestrojmë të gjitha. Pasi të përfundojmë me zonën e dytë, është një procedurë, kërkesa për gjykatë dhe do të vazhdojmë edhe me zonën e tretë pasi t’i sigurojmë informacionet e duhura që vijnë nga inspektorati qendror nga ministria kompetente për kushtet e ndërtimit”, ka thënë Maloku.

Ai ka shtuar për numrin e përgjithshëm të objekteve që do të sekuestrohen do të dalin me një raport.