Njëri nga grabitësit e argjendarisë në Suharekë, është vrarë gjatë operacionit policor, e në këtë rast një polic është plagosur.

Burime të “Betimi për Drejtësi” bëjnë të ditur se në këtë rast janë arrestuar tre të dyshuar, kurse një tjetër është ende në arrati.

Ndryshe, për dy të arrestuar në këtë rast, Gjykata Themelore e Prizrenit ka marrë vendim që t’ua shqiptojë masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.  Kurse, i dyshuari i tretë është liruar në mungesë të provave.

Ndërsa të premten, Policia njoftoi se ka gjetur veturën e cila dyshohet se është përdorur dy ditë më parë nga të dyshuarit për grabitje në argjendarinë “Diakos” në Komunën e Suharekës.

Ditën kur ndodhi grabitja, u njoftua se një polic u plagos dhe një tjetër mori lëndime.

Shuma e arit të grabitur konsiderohet të jetë 250 mijë euro, grabitje kjo që ndodhi pasditën e së mërkurës në një argjendari në Suharekë. 

Ballkani.info kishte publikuar pamjet nga momenti i grabitjes, ku ishin shkrepur edhe armët nga hajnat dhe policia gjatë grabtijes që po ndodhte në qendër të qytetit të Suharekës.