Lajmi i fundit

Aksidentohet një kombibus me nxënës në Gurrakoc të Istogut, lëndohen 14 persona

Një kombibus me nxënës është aksidentuar me një veturë këtë të enjte në magjistralen Pejë-Mitrovicë, konkretisht në fshatin Gurrakoc, ku kanë mbetur të lënduar 14 persona.

Lajmin e ka konfirmuar për Ballkani.info zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Gashi ka treguar se janë lënduar 12 nxënës, ndërsa dy të tjerë janë shoferë.

“Sot rreth orës 13:07 Policia është njoftuar për një aksident në magjistralen Pejë – Mitrovicë konkretisht në fshatin Gurrakoc. Më të marrë lajmin policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka kuptuar se në aksident kanë qenë të përfshira dy vetura, një veturë dhe një kombibus me nxënës”.

“E nga ky aksident policia njofton se janë lënduar 14 persona prej tyre 12 nxënës dhe dy shoferët e automjeteve”, ka thënë Fadil Gashi, zëdhënës i policisë për rajonin e Pejës.

Ai tutje ka bërë të ditur se personat e lënduar janë dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Istog dhe me udhëzimin e mjekut janë dërguar në Emergjencën e Spitalit rajonal të Pejës.

“Pas kontrolleve dhe tretmanit mjekësor që ju është bërë personave të lënduar sipas mjekut kujdestar të gjithë personat e përfshirë në aksident janë lënduar, përveç një nxënësi i cili po vazhdon të trajtohet në këtë spital”, ka njoftuar Gashi.

Ai ka shtuar se me urdhër të prokurorit, njëri nga vozitësit është shoqëruar në njësitin e hetuesisë për aksidente që të japë intervistën si i dyshuar për shkaktimin e aksidentit./Ballkani.info/