Policia

Aksidenti në Këlcyrë me tetë viktima, dyshohet se shtatë prej tyre janë nga Lindja e Mesme, ndërsa shoferi nga Shkodra

Drejtori i Policisë së Gjirokastrës, Ardian Çipa, doli në një prononcim për gazetarët për të dhënë detaje më të sakta në lidhje me aksidentin e orëve të para të mëngjesit në Këlcyrë ku humbën jetën tetë persona.

Çipa sqaroi se makina tip “Benz” është pikasur për herë të parë rreth orës 02:20 të mëngjesit nga patrulla e policisë së Këlcyrës teksa lëvizte me shpejtësi. Efektivët i kanë bërë thirrje shoferit që të ndalojë dhe ky i fundit ashtu ka bërë dhe jo për të komunikuar me policinë, por për t’u kthyer e për të lëvizur sërish me shpejtësi, kësaj here drejt Përmetit. Efektivët janë vënë në ndjekje të makinës.

Rreth 1 orë e 30 minuta pasi kanë humbur kontaktin vizual me makinën, patrulla e policisë ka pyetur qytetarë të ndryshëm nëse e kanë parë mjetin duke lëvizur. Por përgjigja e tyre ka qenë negative dhe për këtë arsye ata kanë nisur një inspektim në zonë. Ky inspektim i ka çuar drejt vendit të aksidentit, ku është zbuluar edhe makina në afërsi të lumit Vjosa.

“Rreth orës 02:20 të datës 2 Prill në afërsi të Këlcyrës, patrulla këmbësore e stacionit të policisë Këlcyrë ka hasur një automjet që po lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuar. Në përpjekje e sipër për t’i bërë shenjë për të ndaluar, automjeti është kthyer menjëherë dhe është nisur në drejtim nga qyteti i Përmetit. Patrulla e policisë, e cila ishte me shërbim për kontrollin e territorit si dhe aksin Përmet-Këlcyrë me automjetin e vet është përpjekur të marrë kontroll vizual mbi automjetin dhe e ka ndjekur deri në afërsi të vendit të ngjarjes. Menjëherë ka informuar sallën operative dhe ka transmetuar të gjithë informacionin për automjetin e dyshimtë i cili ishte larguar me shpejtësi të madhe në drejtim të Përmetit. Rreth orës 03:55 duke qenë se nuk është konstatuar automjeti, patrulla me një automjet ka lëvizur në drejtim të Përmetit duke marrë kontakt dhe me qytetarë të ndryshëm të cilët i ka pyetur lidhur nëse kanë parë apo jo një mjet të tillë i cili ka ikur me shpejtësi. Duke qenë se nuk ka marrë informacion ka filluar inspektimin e gjithë zonës dhe pikërisht në vendin ku ndodhemi ku ka ndodhur dhe aksidenti ka parë shenja të një aksidenti rrugor dhe më pas ka mundur të lokalizojë automjetin që ka rënë në afërsi të lumit Vjosa. Ka zbritur poshtë dhe menjëherë ka transmetuar informacionin shërbimeve që më pas kanë njoftuar prokurorin dhe grupin hetimor për të ardhur në vendngjarje”, u shpreh drejtori i policisë Çipa.

Zona në fjalë njihet për transportin e klandestinëve. Prandaj edhe sipas këqyrjes paraprake dyshohet se shtatë prej tyre janë nga vendet e Lindjes së Mesme, ndërsa shoferi nga Shkodra.

Për këtë të fundit po vijon puna për identifikimin e plotë. Ndërkohë edhe prokurori Petrit Çano thotë se do të bashkëpunojnë me të gjitha ambasadat me qëllim zbulimin e emrave të viktimave të tjerë. Sa i përket makinës ajo rezulton se është marrë me qira në Shkodër dhe nuk është pronar drejtuesi.