Aksident

Aksident i rëndë në autostradën Beograd-Nish, ka të vdekur

Të paktën gjashtë veta kanë humbur jetën, ndërsa 27 janë lënduar në aksidentin zinxhiror që ndodhi mëngjesin e sotëm, rreth orës 07:20, në autostradën Beograd-Nish, në pjesën ndërmjet qyteteve Quprija dhe Jagodina, transmeton Gazeta Express.

Policia serbe njoftoi se shkaktar i aksidentit, në të cilin janë përfshirë mbi 30 automjete, është dukshmëria e dobët për shkak të mjegullës së dendur që kishte rënë në mëngjes.

Në aksident, siç njoftojnë mediat nga vendi i ngjarjes, janë djegur dy kamionë. Komunikacioni në autostradën është në ndërprerje, ndërsa në të dy drejtimet janë krijuar kolona kilometërshe.

Të lënduarit, ndër të cilët ka edhe fëmijë, janë transportuar në spitalet e Jagodinës dhe Quprisë. Ndër të lënduarit në spitalin e Jagodinës ka edhe tre shtetas të huaj – nga një grek, polak dhe gjerman.

Ekipet shpëtimtare ia kanë dalë t’i nxjerrin nga makinat të gjithë personat që kishin mbetur të ngujuar në automjetet e tyre.

(*Fotografitë janë marrë nga TV Prva dhe media tjera serbe)