AKR tregon se a do të qëndrojë Pacolli në sallë kur të votohet për presidentin

Këshilltari i kreut të Aleancës Kosova e Re, Jetlir Zyberaj, ka thënë se i pari i partisë, Behgjet Pacolli, ende nuk ka vendosur nëse do të qëndrojë në sallë kur të votohet presidenti i ri i Republikës së Kosovës.

Në një përgjigje Zyberaj bëri të ditur se vendimi i Pacollit se a do të qëndrojë në sallë në seancën kur do të votohet presidenti do të jetë edhe mbi bazën e sjelljeve të së kaluarës, kur është zgjedhur vetë ai në krye të shtetit.

“Ende s’kemi vendim. Vendimi do të merret po ashtu mbi bazën e sjelljeve të së kaluarës, kur është zgjedhur zoti Pacolli si president.”, tha Zyberaj.

Ai po ashtu ka thënë se AKR i merr vendimet si subjet i pavarur politik dhe me kreun e partisë me të cilën garuan bashkë në zgjedhje, Lidhjes Demokratike të Kosovës, mund të zhvillojnë vetëm takime partneriteti.

“Me z.Abdixhiku mund të zhvillojmë takime partneriteti, por AKR është subjet i pavarur politik dhe si i tillë vendimet i merr si të pavarura nga subjektet e tjera politike.”, ka thënë Zyberaj për Reporterin.

Krejt në fund ai deklaroi se tashmë ekziston shumica për zgjedhjen e presidentit dhe sipas tij, zgjedhja e të shefit të shtetit nuk varet nga vota e tyre.

“Shumica besoj që ekziston për zgjedhjen e presidentit. Nuk varet nga vota jonë.”, tha këshilltari i Pacollit.

Kujtojmë se Behgjet Pacolli është deputeti i vetëm i AKR-së në Kuvendin e Kosovës dhe është pjesë e Grupit Parlamentar të LDK-së.

E kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas takimit që mbajti dje me Grupin Parlamentar të partisë, ka deklaruar se Kryesia ka vendosur që deputetët e LDK-së të marrin pjesë në procesin e votimit të presidentit dhe pret që ky vendim të respektohet nga të gjithë deputetët e partisë.