AKP i jep ‘dritë jeshile’ propozimit për aprovim të buxhetit për 4 ndërmarrje shoqërore në likuidim

Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit mbajti mbledhjen e tij të radhës me ç’rast u njoftua lidhur me zhvillimet e fundit mbi aktivitetet e AKP-së për periudhën e muajit nëntor të këtij viti.

Në këtë takim Bordi miratoi vlerësimin e performancës së Menaxhmentit për vitin 2017, Planin e punës së NJAB-it për vitin 2020 si dhe Strategjinë e NJAB për vitet 2020-2022. Veç kësaj Bordi miratoi propozimin e menaxhmentit për vendosjen në likuidim të një grupi të ndërmarrjeve shoqërore/aseteve.

Për më tepër, Bordi shqyrtoi dhe miratoi propozimin e Autoritetit të Likuidimit për aprovimin e buxhetit për ndërmarrjet shoqërore në likuidim PRN066 NSh ”ABC Genci” Prishtinë, PRN072 NSH “EUP Inxhinjering” Prishtinë, GJI170 NewCo XIM Strezovci dhe MIT044 NSh “Transkosova” Mitrovicë.

Po ashtu u aprovuan edhe dy propozimet e autoritetit të likuidimit lidhur me MIT042 NSH Çyçavica Vushtrri (në likuidim) raportin për shpërndarjen e përkohshme të pjesshme për kreditorët e NSH-së  në vlerë prej rreth 1.7 milionë , si dhe GJI041 NSH Kosovaplast Gjilan (në likuidim) raportin për shpërndarjen e përkohshme të pjesshme për kreditorët e NSH-së në vlerë prej 651.000 euro.

Ndryshe, mbledhja e radhës e Bordit të Drejtorëve do të mbahen më 30 dhjetor.