Avni Ahmeti

AKK-ja takohet me kryetarët e komunave veriore, diskutohet për funksionalizimin e Zyreve Kadastrale Komunale

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kadastrale të Kosovës(AKK), Avni Ahmeti, ka pritur gjatë ditës në një takim të përbashkët kryetarët e Komunave Veriore Zveçan, Zubin Potok, Mitrovicë Veriore dhe përfaqësues të kabinetit të kryetarit të Leposaviqit. Në këtë takim temë qëndrore ishte informimi në lidhje me përgatitjet e fundit të AKK-së për funksionalizimin e Zyreve Kadastrale Komunale në të gjitha komunat veriore.

Deri më tani shërbimet kadastrale për këto komuna janë kryer në zyret AKK-së në Prishtinë, por nga muaji i ardhshëm planifikohet që ky shërbim të ofrohet në këto lokalitete dhe afër qytetarëve të cilët kanë nevojë për këto shërbime.

Agjencia Kadastrale e Kosovës mbetet e përkushtuar që të iu ofrojë mbështetje të gjitha Zyreve Kadastrale Komunale, për ofrimin e shërbimeve sa më të mira kadastrale për qytetarët e vendit, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës./EO/