AKK-ja nuk e konfirmon apo mohon kallëzimin penal ndaj ambasadorit Berishaj

Agjencia Anti-Korrupsion (AKK), ka thënë se nuk mund ta mohojë apo pohojë pretendimin se nga kjo agjenci kanë iniciuar kallëzim penal për rastin e Martin Berishajt, ambasadorit të Kosovës në Kroaci.

Të njëjtit, në një përgjigje për lajmi.net, janë thirrur në Ligjin NR.08/L-01703/, ku Neni 28 parasheh konfidencialitetin e të dhënave përbrenda këtij institucioni.

“Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit është e obliguar ta respektoj dispozitën ligjore të Ligjit NR.08/L-01703/ për Agjencinë Për Parandalimin e Korrupsionit i cili ka hyrë në fuqi në gusht të këtij viti dhe i njëjti ka përcaktuar me  Nenin 28 ( Publikimi, mbrojtja e të dhënave, ruajtja e të dhënave dhe konfidencialiteti i informacionit) se:  Zyrtarët e Agjencisë, çdo person i punësuar nga Agjencia, si dhe të gjithë personat që vihen në dijeni për fshehtësinë zyrtare gjatë bashkëpunimit me Agjencinë, janë të detyruar ta ruajnë si informacion të klasifikuar çdo informacion që e kanë mësuar gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, që konsiderohet fshehtësi e informacionit zyrtar, në pajtim me ligjin përkatës në fuqi”, thuhet në përgjigjen e tyre.

“2. Në kuptim të këtij ligji informacion i klasifikuar zyrtar konsiderohen: 2.1. informacionet në lidhje me të dhënat personale të individëve që janë ose kanë qenë objekt i hetimit administrativ nga Agjencia, … 3. Agjencia obligohet të ruajë të dhënat, informacionin dhe dokumentacionin e marrë në bazë të këtij ligji dhe në pajtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi”, vijohet më tutje.

Ndryshe, PDK e LDK kanë mbajtur konferencë pas raportimeve për procedim penal të rastit Berishaj, ku kanë kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të tij.