Akademiku Idriz Ajeti asnjëherë nuk u nda nga rruga e drejtësisë, asaj intelektuale dhe kombëtare.
Kështu u tha në mbledhjen komemorative me rastin e ndarjes nga jeta e akademik, Idriz Ajeti. Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Nexhat Daci u shpreh krenar që për një kohë të gjatë e kishte afër akademik Idriz Ajetin.
Ndërsa, akademik Rexhep Ismajli foli për veprimtarinë e akademik Ajeti, për të cilin tha se ishte një përfaqësues i shquar i brezit të intelektualeve të vendit që kontribuuan për pavarësinë e vendit.
Pranë arkivolit të të ndjerit, akademikut Idriz Ajeti u bënë homazhe nga të pranishmit, intelektualë e familjarë të shumtë.
Ndryshe, akademik Idriz Ajeti ndërroi sot jetë në moshën 102-vjeçare. Ai ishte albanolog, gjuhëtar, intelektual, pedagog dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe kryetar i saj në dy mandate.
Ceremonia e varrimit të të ndjerit bëhet sot në varrezat e qytetit në Prishtinë.









