Ahmeti tregon se çka i tha Gjingjiqi më 2002 në Amerikë, dyshon se Kurti e përkujtoi si strategji

Ish-nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, është përfshirë në debatin që po bëhet për shkak të përkujtimi që bërë kryeministri, Albin Kurti me rastin e përvjetorit të vrasjes së ish-kryeministrit serb, Zoran Gjingjiq.

Ahmeti ka treguar që e ka takuar Gjinigjin në vitin 2002 në SHBA dhe bisedën që pati me të.

“Pas ligjëratës u njoftova me të, shkëmbyem pak fjalë. Më tha edhe mua se po mundohej të gjente ura bashkëpunimi, disi të tregonte se Serbia po ndryshon. Ishte kohë e shkurtë ta pyesja për këtë ndryshim” – ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Ndërkaq, për përkujtimin që ia bëri Kurti, Ahmeti ka thënë se sipas tij, Kurti po e përdor si strategji “për paraqitje të mirë para serbëve e ndërkombëtarëve”.

“A duhet të përkujtohet në Kosovë? Ndoshta nga ne që nuk kemi pozita, e nga kryeministri vetëm në një kontekst të caktuar të figurave shpresëdhënëse ballkanike që si regjion i kemi pas të mungesë.”

“Në qoftë se po e bën si strategji për tu paraqitur mirë para serbëve e ndërkombëtarëve, mendoj se çdo strategji ka kufi, dhe nuk do dallonte shumë nga ballkanasit e tjerë që përdorin njerëz që nuk janë më për përfitime politike.” – ka shkruar Ahmeti.

Shkrimi i tij:

Zoran Gjingjiqin e kam takuar në vitin 2002 në ShBA pak para se të vritej. Atëbotë, mora një email nga Jeremiq se Gjingjiq po vinte në Harvard për një ligjëratë dhe që do të takonte për darkë studentët nfa Serbia e Mali i Zi (qëllimshëm kishte dërguar këtë përmbajtje).

Në ligjëratë ishin rreth 200 persona. Kishin ardhur shqiptarë nga Kosova nga Bostoni e rrethina. Gjingjiq mbajti një ligjeratë ashtu sic pritej, Serbia ishte në reformë e sipër duke bërë shkëputje nga e kaluara e afërt me luftëra. Shqiptarët të emocionuar e me trauma të tmerrshme nga lufta u munduan që përmes pyetjeve, audiencës nga ShBA ti tregonin për krimet e Serbisë. Megjithatë, politikani i shkathët përgjigjej ashtu sic e kërkonte audienca – me qetësi, me shmangie dhe me keqardhje për të kaluaren. Atë natë e fitoi atë audiencë, pa marr parasysh se çka mendonim ne.

Pas ligjëratës u njoftova me të, shkëmbyem pak fjalë. Më tha edhe mua se po mundohej të gjente ura bashkëpunimi, disi të tregonte se Serbia po ndryshon. Ishte kohë e shkurtë ta pyesja për këtë ndryshim.

Në darkë natyrisht nuk shkova posaçërisht duke marr parasysh ftesën.

Se a ishte Gjingjiq i aftë, pa dyshim se po. A ishte i mirë për Serbinë – definitivisht. A ishte i mirë për Kosovën – ndoshta më i mirë se këta tjerët, që nuk do të thotë shumë. Se si do të reagonte ndaj shpalljes së pavarësisë dhe marrëdhënieve me Kosovën – këtë mund të spekulojmë edhe pse spekulimi im do ishte se do të ishte reagim i njejtë. Por edhe ka spekulime se u vra pikërisht për shkak të paper-ave që shpërndante për Kosovën.

A duhet të përkujtohet në Kosovë? Ndoshta nga ne që nuk kemi pozita, e nga kryeministri vetëm në një kontekst të caktuar të figurave shpresëdhënëse ballkanike që si regjion i kemi pas të mungesë.

Në qoftë se po e bën si strategji për tu paraqitur mirë para sërbëve e ndërkombëtarëve, mendoj se çdo strategji ka kufi, dhe nuk do dallonte shumë nga ballkanasit e tjerë që përdorin njerëz që nuk janë më për përfitime politike.

Për fund, unë përnime mendoj që vrasja e tij ka qenë humbje për Ballkanin sepse dua ta imagjinoj një Serbi ndryshe. Ndoshta do e pranonte pavarësinë ndoshta do te bëhej komshi i mirë. Për atë mund të spekulojmë, për Tadiqat e radikalët tashmë e dijmë.