Ekipi negociator në krye me Fatmir Limajn dhe Shpend Ahmetin gjatë ditës së sotme kanë mbajtur një takim me Presidentin Thaçi.
Pas takimit, në një konferencë për media ka folur edhe njëri nga kryesuesit e ekipit negociator shtetror për dialog me Serbinë, Shpend Ahmeti.
Ahmeti ka thënë se gjatë takimit të sotëm, Ekipit Negociator i është dorëzuar një raport i presidencës, ku përshkruhen të gjitha temat e diskutuara deri më sot nga takimet me palën serbe.
“Na është dorëzuar një raport i presidencës, jo transkriptë se çfarë është biseduar, por në përgjithësi temat që janë biseduar me palën serbe. Këtë raport do ta shqyrtojmë dhe do të shikojmë nëse kemi pyetje të tjera në drejtim të presidencës”, ka thënë Ahmeti, përcjell Ballkani.info.
Tutje, Ahmeti ka theksuar se temat kryesore në mes palës kosovare dhe asaj serbe kanë qenë dhe do të jenë temat e trupave të pagjetur, trashëgimia dhe të drejtat e minoriteteve.
Ahmeti ka thënë se një ndër temat më të rëndësishme për Ekipin Negociator do të jetë çështja e të pagjeturve. /Ballkani.info/







