Ahmeti mbron Jasharajn: Në LVV ka anëtarë më të vonshëm të partive “serbe”

Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti i ka dalë në mbrojtje kryetarit të SBASHK-ut, Rrahman Jashari, duke thënë se atë po e forcon vetë qeveria.

Sipas tij, pushteti së pari po ia jep kreditin e një njeriu që mundet t’i bindë dhjetëra mijëra mësimdhënës të hynë në grevë.

“Së dyti me sulme ad hominem. Po e përdorin një listë të publikuar nga shokët e Rrahmanit (me të cilët vinin në VV bashkë) që paska qenë pjesë e Listës Komuniste në Jugosllavi dhe qëllimisht po e shtrembërojnë si anëtar të partisë serbe”, tha Ahmeti në një postim në Facebook.

Ahmeti këtë e ka quajtur kot, teksa shtoi se për “parti serbe mos hyni se ka në VV anëtarë më të vonshëm të partive “serbe”, dhe kjo është së pari e pasaktë dhe së dyti hipokrizi”.

“Kuptone grevën si kërkesë të mijëra punëtorëve në këtë situatë të rëndë ekonomike e jo si organizim i një supermani si Rrahman Jashari i cili po luan kalin e Trojës në diskutimet e rëndësishme për targat. Edhe nqs nuk keni mundësi buxhetore thirrni në takim dhe shpjegoni se çka mundet me u ba”, përfundoi ai.