Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka kërkuar nga Stevo Pendarovski, kandidati i përkrahur nga koalicioni qeveritar në Maqedoninë e Veriut, që të respektojë parimin e konsensualitetit.
Pendarovski është duke prirë bindshëm në garën për president me numërimin që po shkon drejt fundit.
Ahmeti, në një deklaratë për media, ka thënë se fitorja e Pendarovskit afron Maqedoninë me pranimin e plotë në NATO, raporton Alsat.
Ai ka thënë se është i zhgënjyer me partitë opozitare shqiptare, siç tha ai për bojkotin në zgjedhje. Sipas tij, Pendarovski ka marrë më shumë se 100 mijë vota të shqiptarëve.
“Fitorja e kandidatit tonë na hap rrugën drejt anëtarësimit të plotë të vendit në NATO. Por dhe na afron vendin tonë drejt fuqive të mëdha. Vendi ynë është i përgatitur dhe pret sa më parë bisedimet për anëtarësimin e vendit tone në BE. Do doja të falënderoja të gjitha shtabet zgjedhore që me sukses kanë udhëhequr këtë fushatë. Korrën fitore në zgjedhjet lokale në Dibër, një punë të shkëlqyeshme në rrethin e parë dhe një rezultat të jashtëzaskonshme në rrethin e dytë. E kemi pasur shumë të vështirë për të shpjeguar këtë koncept, konceptin e presidentit konsensual. Jam i dëshpëruar me opozitën shqiptare me bojkotin që shfaqën sot. Nga ana tjetër falënderoj partitë shqiptare në pozitë. I uroj Pendarovskit fitoren dhe të respektojë kushtetutën dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Presidenti i ardhshëm të ketë parasysh vullnetin e qytetarëve në respekt të kushtetutës së Republikës dhe të jetë pjesë e proceseve në përmbyllje të plotë të procesit të anëtarësimit në NATO por dhe hapjen e negociatave me BE-në. Pa hyrë në detaje, por nga të dhënat që më jep sektori analitik lëvizet prej 100 deri në 130 mijë vota që janë siguruar nga aktivistë tanë, nga votuesit shqiptarë”, ka thënë Ahmeti.







