Ahmeti jep detaje rreth karantinimit – Ata që gjenden jashtë Prishtinës mund të kthehen deri nesër në orën 17

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, në një lidhje të drejtpërdrejt ka dhënë detaje pasi kryeqyteti hyri në karantinë.

Ahmeti tha se 20 rastet e fundit me koronavirus që rezultuan sot pozitive, janë prekur nga një person, që ka rezultuar pozitiv me Covid-19.

“Prej 25 të testuarve, 20 rezultuan pozitivë. Lajmi i keq është që do të marrim masa të tjera”, tha Ahmeti.

Ahmeti tha Ministria e Shëndetësisë, bashkë me Komunën e Prishtinës, sot vendosën ta shpallin zonë karantine Prishtinën.

“Banorët kanë pasur kontakt të drejtpërdrejt me personin që ishte me koronavirus. Tophanja, Mati 1 dhe Veterniku u shpallën vatra të përhapjes së koronavirusit”, tha Ahmeti.

Të gjithë banorët e Prishtinës, që sonte janë jashtë Prishtinës, nesër mund të kthehen deri në orën 17:00, tha Ahmeti.

“Ata që janë të komunave tjera por duan të kthehen në komunat e veta, nesër deri në orën 17:00 mund të kthehen”, tha ai.

Sipas Ahmetit, Ministria e Tregtisë është duke punuar në një listë bashkë me MSH-në, ku disa biznese, apo punëtor, do të kenë të drejtë të lëvizin gjatë kohës së karantinës.

“Nesër ministria e Tregtisë publikon vendimin ku tregohet se kush ka të drejtë të punojë”, tha ai.

Sipas Ahmetit, edhe nesër 12 prill, vlen kufizimi i lëvizjes.

“Deri në orën 17:00 mund të lëvizin, por jo shëtitje, vetëm ata që kanë nevojë urgjente”, tha ai, e që pastaj, pritet masat tjera restriktive për gjithë Kosovën.

“Nga e hëna nisin masat tjera të reja”, tha kryetari Ahmeti.

Kryetari i Prishtinës, tha se nesër do të testohen mbi 4o persona që kanë pasur kontakt me të infektuarit.

“S’ka vend për panik, megjithatë arsyet për të mos u relaksuar ka tepër shumë. Infektimet që i kemi marrë sot pozitive, është se personat që nuk kanë pas nevojë me dal kanë dalë prej shtëpisë”, u shpreh ai.

Ahmeti tha se do të ketë forca të shtuara policore në rrethinë të Prishtinës, pra konkretisht në hyrje-dalje.

Ahmeti tha, se ata që punojnë në Prishtinë por jetojnë diku tjetër, duhet të presin deri në vendimin e radhës, që pritet të publikohet nesër.