Ahmeti: Duhet të fillojë caktimi i termineve për vizita kontrolluese në QMF-të e Prishtinës

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, ka vizituar sot Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe personelin shëndetësor të cilët që nga fillimi i pandemisë janë në vijën e parë të frontit duke u ballafaquar me këtë virus.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, përmes një postimi në Facebook, tha se situata epidemiologjike mbetet edhe më tutje e rënduar, prandaj edhe është momenti i duhur që të fillohet implementimi i praktikës për caktimin e termineve për vizita kontrolluese në Qendra të Mjekësisë Familjare.

Ky është postimi i plotë:

Drejtori për Shëndetësi Bujar Gashi sot vizitoi Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe personelin shëndetësor të cilët nga fillimi i pandemisë #covid19 janë në vijën e parë të frontit duke u ballafaquar me këtë virus.

Situata epidemiologjike mbetet edhe më tutje e rënduar, prandaj edhe është momenti i duhur që të fillojmë me implementimin e praktikës për caktimin e terminëve për vizita kontrolluese në Qendra të Mjekësisë Familjare. Kjo po bëhet me qëllim të lehtësimit të qasjes së qytetarëve në shërbime shëndetësore, si dhe që mjeku të ketë kohë të mjaftueshme ta ekzaminojë në mënyrë adekuate secilin pacient. Natyrisht, rastet urgjente do të trajtohen me përparësi pa caktuar termin.

Duke kërkuar mirëkuptimin tuaj, mirëpresim çdo ankesë, kritikë dhe sugjerim gjatë kësaj kohe dhe ju falënderojmë që na ndihmoni që shërbimet cilësore të i avancojmë në vazhdimësi.

Vazhdoni të mbani maskat, pastrini duart e respektoni distancën fizike!