Vizita e kryeministrit Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut u konsiderua private dhe u pa në kuadër të bashkëpunimit të Lëvizjes Vetëvendosje me opozitën shqiptare atje. Ali Ahmeti, kryetari i partisë më të madhe shqiptare atje, të cilin Kurti nuk e takoi, sot ka bërë thirrje për bashkim “rreth frontit europian”.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për bashkim, me rastin e 22-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit mes shqiptarëve dhe maqedonasve për të krijuar raporte të reja shoqëroro-politike për ta ndërtuar shqetitn që sot quhet Maqedonia e Veriut.

Ahmeti përmes një video-mesazhi tha se bashkimi “rreth frontit europian” është nevojë dhe përgjegjësi historike.

Në këtë përvjetor të Marrëveshjes së Ohrit bëj thirrje për bashkim, unifikim rreth frontit europian si nevojë dhe përgjegjësi historike e kohës dhe hap i domosdoshëm për ta siguruar të ardhmen. Vetëm të bashkuar jemi më të fortë”, tha Ahmeti.

Ai tha se pas luftës dhe miratimit të ndryshimeve kushtetuese në vitin 2001, tash po tejkalohen “barrierat e fundit të barazisë së shumëkërkuar”. Ahmeti përmendi se gjuha shqipe dhe flamuri kombëtar tani janë zyrtare dhe se shqiptarët janë pjesë e të gjitha dikastereve qeveritare. Për ta rrumbullakësuar procesin e barazisë dhe integrimit, ai tha se “duhet ta ndërmarrim edhe hapin e fundit të ndryshimeve kushtetuese”.

“Po ndërtojmë edhe autostrada me Shqipërinë dhe Kosovën, me rajonin, të cilat edhe po i unifikojnë kufijtë”, tha ndër tjerash Ahmeti.